Ja pesë kandidatët në garë për Prokuror të Përgjithshëm
Dritare.net

Pesë kandidatë kanë aplikuar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, ndërsa gara do të vijojë me shqyrtimin e kandidaturave nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Pas verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore dhe vlerësimit të kandidatëve, KLP do të rendisë tre emrat më të kualifikuar. Lista do t’i dërgohet më pas Kuvendit të Shqipërisë, i cili do të votojë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në garë është edhe Arta Marku, e cila ka mbajtur më herët detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe aktualisht ushtron funksionin e prokurores në Apelin e Tiranës.
Mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsjan Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti. Sipas procedurës, ai nuk ka të drejtë të rikandidojë për një mandat të dytë.
Thirrjes publike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i janë përgjigjur edhe prokurori i posaçëm Adnan Xholi, prokurori i Tiranës Ylli Pjetërnikaj, prokurorja e Tiranës Rovena Zoto dhe Fatjona Memçaj, prokurore në Eurojust.
Ndërkohë, Kreshnik Ajazi, drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, kishte dorëzuar fillimisht kandidaturën në KLP, por më pas u tërhoq nga gara.
Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, KLP do të përzgjedhë dhe rendisë tre kandidatët më të kualifikuar. Lista do t’i përcillet Kuvendit, ku kandidati që do të zgjidhet duhet të marrë të paktën 3/5 e votave të deputetëve.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës, kandidati i renditur i pari nga KLP konsiderohet i emëruar automatikisht.
Kandidatët në garë:
Adnan Xholi
Rovena Zoto
Ylli Pjetërnikaj
Fatjona Memçaj
Arta Marku./L.F-dritare.net