Na ndiqni edhe në

Bota

Ishte si film horror! Turistët tregojnë arratisjen nga zjarret shkatërruese në Francë

Pushimet e qeta verore u kthyen në një makth për qindra turistë në Francë, pasi zjarret masive në jugperëndim të vendit i detyruan të braktisin hotelet, kampingjet dhe shtëpitë e pushimit.

Për BBC-në, familje të ndryshme kanë treguar momentet e panikut, alarmet e marra në mes të natës, evakuimet urgjente dhe arratisjet në rrugë vetëm pak metra larg flakëve gjigante.

Zjarret e mëdha në jugperëndim të Francës dhe në Spanjën qendrore kanë detyruar më shumë se 220 mijë persona të largohen nga zonat e rrezikuara. Në Francë është angazhuar edhe ushtria për të ndihmuar në përballimin e situatës, ndërsa qeveria spanjolle ka shpallur gjendje emergjence kombëtare.

Erërat e forta dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa tymi i dendur është ndjerë edhe larg zonave të prekura.

Një prej turistëve të përfshirë është 21-vjeçari nga Londra, Zac Morrison, i cili kishte mbërritur në gadishullin Cap Ferret, rreth 65 kilometra larg Bordosë, bashkë me 10 anëtarë të familjes.

Ai tregoi se u zgjua në orët e para të mëngjesit nga dy mesazhe alarmi, në orën 04:00 dhe 06:00, ku u kërkohej të largoheshin "me çdo mjet të mundshëm".

“Dukej si një skenë filmi. Policët shkonin derë më derë dhe na thanë të merrnim gjithçka me vete”, tha Morrison për BBC.

Familja e tij u detyrua të largohej disa herë, pasi zjarri ndryshonte drejtim. Ata gjetën strehim përkohësisht në një plazh në Arcachon, ndërsa shumë persona të tjerë u detyruan të flinin në shkolla, magazina dhe ambiente të improvizuara.

“Ka njerëz në plazh me valixhet e tyre, duke pritur udhëzimet për të parë nëse mund të largohen”, tregoi ai.

Edhe familja e David Morton, një drejtor shkolle nga Britania, përjetoi momente dramatike gjatë pushimeve në Cap Ferret.

Ai tregoi se telefoni i familjes filloi të pulsonte dhe të jepte alarme, me një mesazh që i urdhëronte të evakuoheshin menjëherë.

“Futëm gjithçka në valixhe dhe brenda 15 minutash ishim në makinën me qira”, tha Morton.

Familja kaloi pranë zjarrit kryesor, vetëm rreth 500 metra larg tij. Sipas tij, flakët arrinin lartësinë e pemëve të mëdha të pishave, rreth pesë ose gjashtë kate.

“Qartë ishte një zjarr jashtë kontrollit”, tha ai.


Rebecca Papin, një shtetase franko-amerikane që ndodhej në shtëpinë e saj të pushimit në Biscarrosse, tregoi se pa një mur gjigant flakësh në horizont.

“Në qiell kishte avionë që hidhnin ujë, helikopterë zjarrfikës dhe e gjithë zona dukej si një mur zjarri”, tha ajo për BBC.

Ajo tregoi se autoritetet ishin të mbingarkuara dhe nuk kishte marrë një urdhër të drejtpërdrejtë evakuimi. Kur u zgjua në mëngjes, zbuloi se qyteti ishte bosh.

“Pothuajse isha vetëm, sepse qyteti ishte evakuuar dhe unë ende isha aty”, tha ajo.

Ajo rrëfeu se hiri binte nga qielli si dëborë, ndërsa policia i kërkoi të mos largohej nga shtëpia për shkak të rrugëve të bllokuara.

Disa familje britanike vendosën të zhvendosen mbi 160 kilometra larg për të vazhduar pushimet në zona më të sigurta.

Mark Dorey nga Leeds, bashkë me gruan dhe tre fëmijët e tij, u largua nga një kamping pranë Parentis-en-Born pasi mori urdhër evakuimi.

Ai tregoi se familja ishte duke ndjekur një koncert me këngë të grupit Queen në kamping, kur menjëherë pas interpretimit të “Bohemian Rhapsody” u njoftuan se duhej të largoheshin.

Pas një nate të kaluar në një palestër me qindra persona të tjerë të evakuuar, familja udhëtoi drejt Dordogne për të përfunduar pushimet.

Megjithëse zjarret vazhdojnë të jenë aktive, autoritetet franceze u kanë bërë thirrje turistëve të mos anulojnë udhëtimet, duke theksuar se shumica e zonave të vendit janë të sigurta.

Megjithatë, turistëve u është kërkuar të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale./dritare.net