
Historia e Urës së Zogut/ Të pathënat e ndërtimit të saj
Dritare.net

Nga Sokol Kika
Në fillim të majit 1927-të ura ishte pothuajse e përfunduar, ndërkohë që Ahmet Zogu e ndiqte personalisht, herë pas here, ndërtimin e saj. Ura ishte me një arkitekturë moderne dhe sot me të drejtë konsiderohet si objekt monumental në ruajtje, por Ahmet Zogut nuk i pëlqeu, pasi iu duk e ngushtë dhe e shtrenjtë për këtë gjerësi. Ai kishte jetuar për disa vjet në Vjenë, gjatë Luftës së I-re Botërore dhe kishte parë ajkën e inxhinierisë monumentale të kohës.
Kur erdhi koha për ta marrë në dorëzim urën e përfunduar, Ahmet Zogu dërgon Abdurraman Krosin (Lalë Krosi), person i besuar i Zogut, pasi kishte qenë si një lloj kujdestari në rininë e tij të hershme në Stamboll, por që në fakt ishte i pashkolluar dhe shquhej për sjelljen e tij të vrazhdë.
Lalë Krosi, hijerëndë, i shoqëruar me xhandarë dhe i vetëm me një bastun në dorë, shkon për të kontrolluar cilësinë e urës. Në çdo 10 metra godiste me bastun trarët metalikë të urës dhe thoshte : qeder ; qeder … (turqisht: shumë keq, e prishur). Italianet që po e shihnin nuk po i besonin syve. Pagesa e tyre nga Italia bëhej pasi të merrej në dorëzim nga pala shqiptare.
Me anën e punëtoreve dhe specialistëve shqiptarë, u ndërmjetësua, nëpërmjet firmës italiane dhe Ahmet Zogut duke u rënë dakord për kthimin nga ana e tyre e një sasie parash. Zogu dërgon përsëri Lalë Krosin për ta marrë në dorëzim urën, i cili përsërit të njëjtin ritual por ketë herë duke thënë : sagllam, sagllam …(turq: në rregull, saktë).
Siç duket edhe nga kjo ndodhi, Ahmet Zogu e dinte mire se , për të qeverisur mirë Shqipërinë, duhet, jo vetëm aspiratë perëndimore por edhe dinakëri orientale./dritare.net

















