
Himara, krahinë arbërore e dokumentuar në burime osmane dhe veneciane
Dritare.net
Historiani Pëllumb Xhufi, i ftuar në Dritare TV, theksoi se Himara është një nga trevat shqiptare më të dokumentuara në burimet historike mesjetare dhe të epokës osmane. Sipas tij, regjistri osman i vitit 1583, një nga më të plotët për atë kohë, jep një pasqyrë të qartë të fshatrave të Himarës, me emrat e kryefamiljarëve që janë të gjithë shqiptarë, si Gjon, Gjin, Dedë, Nikë, Kolë, të përhapur në gjithë Labërinë.
Dokumentet veneciane, që mbulojnë periudha të gjata kur bregdeti shqiptar ishte nën ndikimin e Republikës së Shën Markut, e përshkruajnë Himarën si një krahinë arbërore me qendër qytetin e Shën Sergjit (Sergiopolis) dhe një rrjet fshatrash nga bregu deri në Kurvelesh. Në shekujt XIV–XV, kjo trevë përmendet si “Arbëri”, ndërsa gjuhëtarët shpjegojnë se emri “Labëri” erdhi më vonë nga një metatezë gjuhësore e fjalës “Arbër”.
“Himara e Mesjetës përfshinte mbi 50 fshatra dhe ishte një bashkësi shqiptare e mirëorganizuar, me traditë të fortë luftëtarësh dhe lidhje të ngushta me botën perëndimore përmes Venedikut e Mbretërisë së Napolit,” – tha Xhufi, duke shtuar se të gjitha pretendimet moderne për identitet tjetër nuk kanë mbështetje në burimet autentike historike./dritare.net

















