Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kur djali i Skendetbeut, Gjon Kastrioti çliroi Himarën!

Kur djali i Skendetbeut, Gjon Kastrioti çliroi Himarën!

Historiani Pëllumb Xhufi rrëfeu në një intervistë me Dritan Hilën një nga episodet më të lavdishme të historisë së Himarës: çlirimin e saj në vitin 1481 nga djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti.

Pas vdekjes së Skënderbeut, Gjoni dhe e ëma, Donika, u vendosën në Mbretërinë e Napolit. Në vitin 1481, ndërsa osmanët kërcënonin Italinë e Jugut, Mbreti i Napolit vendosi të hapte një front në Shqipëri për t’i goditur nga prapa. Ai dërgoi Gjon Kastriotin me katër anije, i shoqëruar nga kushëriri Muzaka dhe komandanti i njohur shqiptar nga Çamëria, Krokodil Kladha – ish-stratiot i Venedikut që refuzoi të dorëzohej pas paqes me osmanët.

Ekspedita zbarkoi në bregdetin e Himarës, ku banorët kishin thirrur ndihmën e pasardhësve të Skënderbeut. Sipas Xhufit, ata dëbuan garnizonin osman nga kështjella dhe shpartalluan ushtrinë osmane që erdhi nga Vlora për ta rimarrë. Në betejë u vranë rreth 1.600 ushtarë osmanë, ndërsa 1.000 të tjerë u kapën rob, përfshirë bejlerbeun e Rumelisë, Sulejman Beun, i cili iu dërgua si trofe mbretit të Napolit.

Ky sukses ngriti në kryengritje jo vetëm Himarën, por edhe Labërinë dhe Krujën. Megjithatë, me tërheqjen e forcave napolitane nga Italia, kryengritja humbi forcën. Krokodil Kladha vazhdoi të luftonte derisa u vra nga osmanët, ndërsa Gjoni u rikthye në Itali, duke ruajtur lidhjet me vendlindjen dhe stemën e Kastriotëve me shqiponjën dykrenore.

Sipas Xhufit, ky episod tregon jo vetëm rëndësinë strategjike të Himarës, por edhe faktin se banorët e saj e kanë parë gjithmonë veten si pjesë të kombit shqiptar dhe pasardhës të Skënderbeut.