

Një pesëmbëdhjetvjeçar ka pësuar një vdekje tragjike në një kafaz ashensori jashtë çdo standarti teknik, tek fabrika e ishPlastikës në Durrës. Vdekja mund të ishte shmangur, nëse administratori i asaj ndërtese, do të ishte i detyruar të zbatonte disa rregulla të hekurta të sigurimit teknik, apo standarteve të ashensorit.
Por ajo që më bëri përshtypje tek lajmet për vdekjen tragjike të djalit, ishte fokusimi tek fakti se ai kishte shkuar në fabrikë se në shtëpi nuk kishte drita , pasi OSHEE ja kishte prerë për mungesë pagese…
Nuk di kush e infiltiroi i pari lajmin, por pas disa orësh në web nuk flitej më për vdekjen e djalit, por për faktin që atë e ka vrarë OSHEE. Është një histori e njëjtë, e përsëritur disa herë përmes histerish të tilla, kur pasi vdes dikush, bëhen lidhje me faktin a kishte drita ku vdiq, a i kish paguar faturat, a vdiq nga meraku i tyre etj.
Por kjo e djaloshit në Shkozet është dhe më e rëndë.
Në një kohë kur gjithë shoqëria duhet të fokusohet tek fakti se si mund të vdesë një fëmijë në një ndërtesë biznesi, ku fare mire mund të vdiste dhe nëna e tij e gjorë, që tani duhet të vuajë vdekjen e djalit, apo shoqe të saj që punojnë aty, fokusohemi tek një hall që të politizon vdekjen dhe fsheh vrasësin real të djalit.
Të paguash faturat e dritave, është detyrim ligjor, pasi është marrëdhënie kontraktuale, dhe të të priten dritat kur nuk i paguan, po ashtu është një veprim ligjor. Por në këtë rast, ajo që bie në sy, është fakti se vdekja e djalit nuk përdoret për të goditur shkakun e vërtetë të saj, që ka të bëjë me kushtet çnjerëzore të ndërtesave ku ushtrohet biznesi dhe papërgjegjësia e administratorëve, por tek fokusimi drejt një histerie anti shtet, siç është detyrimi për të paguar dritat.
Fjala vjen, nëse dikush do të shkruante se djali shkoi tek puna e mamit, se ishte grindur me një shoqe të tij, ne duhet të linçonim tani vajzën që ishte grindur ai, dhe jo atë që nuk rregullon ashensorin. Apo sikur të kishte ndodhur që djali të shkonte tek nëna të merrte çelsin që kishte harruar brenda në shtëpi, duhet të fajësonim nënën, që kishte marrë çelsin me vete.
Kjo histeri e cila përpiqet të politizojë aksidentet tragjike, apo vdekjet e dhimbshme, dhe të shmangë debatin real që duhet të bëjmë mbi to, në të vërtetë është një rivrasje e këtyre fëmijëve tragjike, të cilat mund t’u hapin rrugë vdekjeve të tjera tragjike, nëse nuk merremi me shkaqet e tyre. Kështu, është bërë modë që dhe kur shtyp një makinë një grua, dhe kur vdes dikush tragjikisht si Arditi në plehra, dhe kur vdes dikush si ky fëmija 15 vjeç, debati të mos orientohet tek shkaqet e fatkeqësive në kantieret tona, apo papërgjegjësinë që dëshmohet ndaj jetës së tjetrit, por tek politizimi i rrethanave të vdekjes me gjëra që nuk kanë lidhje me vdekjen.
Në kantieret tona të papërgjegjshme, mund të ketë vdekje përditë. Mund të vdesin njerëz nga papërgjegjësia e tyre, nga papërgjegjësia e punëdhënësve, nga aksidente apo nga fatkeqësi natyrore. Detyra jonë është të vëmë gishtin në plagë dhe të luftojmë arsyet përse vdesin këta njerëz si shtazë rrugëve.
Rasti i vdekjes së djeshme në Shkozet dhe arsyetimi se shkak për vdekjen ishte se ai shkoi tek nëna e vet ngaqë nuk kishte drita në shtëpi, është një shembull tipik, se si nuk do t’ia dish përse ka vdekur ai djalë. Në vend t’i kërkosh shtetit ë vendosë rregulla ndaj atyre bizneseve që me papërgjegjësi shkaktojnë vdekjen e tij, i kërkon llogari shtetit, pse u mbledh lekët e dritave qytetarëve. Kjo është tepër dhe është një krim që bëhet ndaj vrasësit real të vogëlushit. Shpresoj që përgjegjësi për vdekjen e tij, t’i ketë paguar dritat, që të mos qajmë edhe për atë nesër, nëse e arrestojnë.

















