

Parë nga publiku, së paku, referuar roleve të saj të fundit, Ola Harizaj nuk mund të ishte tjetër veç Masha. Sot, që e ka futur personazhin në trup, që ka dashuruar Vishininin, edhe ajo është e bindur për këtë. Do të ishte më mirë sikur të kishte ca më tepër kohë për ta shijuar të gjithë këtë, por nuk e ka.
Paralelisht, po punon për premierën e radhës që do të vijë në Teatrin Kombëtar, “Zbutja e kryeneçes”. Të jetë Ola, për momentin, nuk ka asnjë mundësi, prandaj ne e shkëputëm pak, rrugës që shkonte nga njëra shfaqje te tjetra.
I referohem edhe rolit aktual të Mashës, por edhe të më parshmëve si te “Liri në Bremen”, janë karaktere të zymta. Të gjejnë vet, apo i kërkon?
Jo, nuk se i kam kërkuar këto karaktere, së paku, nuk kam shprehur zyrtarisht ndonjë dëshirë, por mund t’i kem kërkuar në mënyrë indirekte, duke pasur këtë natyrë që kam. Rolet, qoftë Masha, e qoftë te “Liri në Bremen”, janë komplekse, emocionale, më ngjajnë. Mbase regjisorët, kur më kanë propozuar rolet, e kanë parë këtë gjë tek unë.
Sesilia më ka zgjedhur pas audicionit, kështu që nuk ka shpjegim tjetër. Edhe te “Vrasja e Maratit”, ka qenë një personazh shumë i vogël, por që ka ngelur në mendje si realizim e si transformim i imi. Në rastin konkret, te Masha, për hir të së vërtetës, në një bisedë që kam bërë me regjisorin Hervin Çuli, që kur luaja gruan e Maratit që
interpretohej prej tij, më tha, nëse bordi do të aprovonte “Tre motrat” e Çehovit, ti do të jesh Natasha dhe unë pata idenë fikse se do të jem ajo.
Si ndodhi që ndryshoi mendim?
Kur erdhi faza e ndarjes së roleve, më telefonoi e më tha: urime Masha! Ndoshta në një përtypje të dytë të karaktereve, ka menduar që unë rri më mirë si Mashë. Pavarësisht mendimeve të mia të para apo idesë fillestare për Natashën, sot mendoj që jam tërësisht te Masha. Më ka shijuar aq shumë ky personazh, e kam dashuruar. Ndoshta, mund të ndodhte e njëjta gjë edhe me personazhin tjetër, sepse ti pastaj punon me të, i kushton kohë dhe afeksionohesh.
A kishe nisur të bluaje me vete Natashën dhe si të ndikoi kjo më vonë?
Jo, nuk i kisha vënë asnjë mendim konkret, sepse isha me pushime dhe nuk doja të krijoja në kokë një mendim të gabuar. Kam qenë gjithashtu në kohë pushimi edhe kur mësova për Mashën, por veprova njësoj. Nuk mendova asgjë përpara se të dija se ç’ide kishte regjisori. Duhet të kuptoja mënyrën se si ai e shihte personazhin, pastaj të bëja unë pjesën time.
Cila është pjesa jote? Si e bën tëndin personazhin?
Me ka ardhur e gjitha në mënyrë instiktive. Në fillim jam përpjekur të kuptoj Mashën, duke parë Veshininin, ose më mirë duke dashuruar karakterin e Veshininit. Zbërtheva gjërat që unë do të pëlqeja te ky mashkull, nëse do të ishte i vërtetë, kjo më ndihmoi që edhe Masha ta
ndiente Veshininin, të kuptonte monotoninë e jetës, mospërmbushjen
prej bashkëshortit të saj që kishte marrë në moshë të vogël. Të gjitha
këto, formuan Mashën tek unë.
A është ky roli që do doje?
Është krijuar një ide që rolet e mia që studente kanë qenë femrat e forta, komplekse. Ka qenë që në fillim kështu dhe unë gjendem mirë. Kam luajtur edhe komedi, edhe aty jam gjendur mirë, por nuk kam punuar shumë gjatë. Tani jam duke punuar paralelisht te “Zbutja e kryeneçes”, ku jam kryeneçja.
A nuk e dëmton puna paralele, roli tjetër, një rol që është në
skenë?
Në fakt, nuk është gjëja më e mirë që mund të të ndodhë. Duke qenë se ty, pasi merr pjesën, të ngelet shumë pak nga vetja, personazhi të
ndjek gjithandej, sepse është produkt i yti, kam ndjerë që, edhe pas shfaqjes më është dashur pak kohë të shkëputem mendërisht e shpirtërisht. Në këtë rast, unë nuk pata mundësi t’i jap vetes këtë kohë, sepse mendova që nuk do të kem më rast të jem “kryeneçja”. E pranoj, sado që nuk është shumë profesionale. Kisha shumë dëshirë
t’i luaja të dyja këto role. Kryeneçja nuk është pjesë që vihet shpesh, kanë kaluar 20 vite që kur është vënë për herë të fundit, kështu që. Mirëpo, as Mashën nuk mund ta refuzoja. Vendosa të kem ca kohë mbingarkesë, por që në fund, të shijojnë.
A ke ndonjë mundësi të jesh Ola gjatë kësaj kohe? Ndonjë hapësirë të vogël?
Vetëm kur jam në gjumë! Ëndrrat, ato po i shoh me sikletet e Olës. Përveç teatrit, kam xhiruar këto kohë edhe një film me metrazh të gjatë të Edmond Budinës, në Maqedoni. Falënderoj regjisorin që më lejoi 10 ditë shkëputje nga provat. Në rolin e Mashës është gjithashtu aktorja Erjona Kakeli. I bëra të njëjtën pyetje edhe asaj.
A pate ndikime nga Masha tjetër gjatë provave?
Jam përpjekur të mos ndikohem. Ia kam pasur frikën kësaj gjëje që në fillim, të them të drejtën. Por u përpoqa që, kur interpretonte grupi i Erjonës, të merresha me gjërat e mia sepse, siç bëra unë Mashën, siç e ndjeja, nuk doja të ndikohesha nga ajo që ndiente kolegia. Mirë apo keq, doja që personazhi të kishte vulën time. Një pjesë e mirë e roleve ishin me dublantë.
A ka preferenca aktori, në këto raste për atë që ka përballë, apo është i ftohtë?
Më duhet të them që me Elian dhe Fleuren jam ndjerë më afër, sepse ato ishin më pranë meje, ishin në grupin që luaja unë. Kishim komunikim të vazhdueshëm e punonim gjatë edhe jashtë provave, aq sa nuk e kam parë shtëpinë për tre muaj. Dilnim në mëngjes e ktheheshim në mbrëmje. Pa prindërit që e kanë mbajtur vajzën e pa bashkëshortin, nuk do t’ia dilja. Imagjinoni që ime bijë ka qenë me temperaturën 40 të dyja netët e premierës, e megjithatë ti nuk mund të bësh asgjë, nuk duhet as ta mendosh.
Meqenëse jeni të të njëjtit profesion, a jep mendime, këshilla, lëvdata, Ervini?
Jo, ai nuk ka ardhur në prova. Erdhi vetëm një ditë përpara premierës
dhe në këtë pikë është e kotë të ndërhyjë gjithkush, sepse nuk do të
ishte në të mirë të rolit, vetëm sa do të më turbullonte.
ANI JAUPAJ /Panorama.com/

















