Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fier, arrestohet ish-drejtori i ASHK-së dhe një përfitues pronash, në hetim edhe ish-hartografi

Ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, E.S., dhe shtetasi E.H., i dyshuar si përfitues i gjashtë pronave të regjistruara në mënyrë të kundërligjshme, janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit.

Ndërkohë, ndaj ish-hartografit pranë ASHK Fier, E.R., gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.

Sipas Prokurorisë, hetimi lidhet me dyshime për falsifikim dokumentesh, mashtrim, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe shpërdorim detyre. Procedimi penal është regjistruar më 5 nëntor 2025.

Në qendër të hetimit janë gjashtë pasuri në zonën e Levanit dhe Dërmënasit, me një sipërfaqe totale prej rreth 71.7 hektarësh. Prokuroria dyshon se gjatë vitit 2023, E.H. ka ndjekur procedura për regjistrimin e këtyre pasurive, duke iu referuar një vendimi të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Vendimi i vitit 2008 lidhej me njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Sipas hetimit, një prej trashëgimtarëve përfitues, E.H., kishte marrë në vitin 2018 kompensim financiar në vlerën 53.8 milionë lekë.

Megjithatë, pavarësisht kompensimit financiar, Prokuroria dyshon se më pas janë ndjekur procedura për regjistrimin e gjashtë pasurive në Zyrën Kadastrale, ndërsa ish-drejtori i ASHK-së, E.S., dhe ish-hartografi E.R. dyshohet se kanë pasur rol në trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit.

Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Hetuesit po verifikojnë transaksionet, lëvizjen e parave dhe destinacionin e tyre.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe 715,976 euro, të cilat ndodheshin në një llogari bankare të E.H. Po ashtu, janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që pritet t’i nënshtrohen ekspertimit dhe verifikimeve të mëtejshme.

Prokuroria e Fierit bën me dije se hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e çështjes, për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë dhe për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të secilit person nën hetim./L.F-dritare/net