Na ndiqni edhe në

Bota

Evropa në alarm! Dhjetëra avionë dhe aeroporte kërcënohen sërish me bomba

Evropa në alarm! Dhjetëra avionë dhe aeroporte

Një valë kërcënimesh me bomba ka shkaktuar alarm në trafikun ajror evropian, duke prekur të paktën 21 avionë dhe disa aeroporte. Ky është incidenti i dytë i ngjashëm brenda kësaj jave, ndërsa autoritetet britanike i kanë cilësuar kërcënimet si alarme të rreme me qëllim keqdashës. Sipas BBC-së, kërcënimet kanë prekur fluturime drejt Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Francës, Italisë, Polonisë dhe Rumanisë.

Një avion i kompanisë Aer Lingus, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, u devijua drejt një baze ajrore në Francë, ndërsa avionë luftarakë italianë shoqëruan një fluturim të Finnair nga Helsinki drejt Romës. Ndërkohë, dy avionë të EasyJet, të nisur nga Newcastle dhe Glasgow, u pritën nga policia pas mbërritjes në Pragë.

Kërcënime morën edhe aeroportet Heathrow në Londër dhe Birmingham, por pas vlerësimeve të sigurisë ato u konsideruan jo të besueshme.

Autoritetet aeroportuale në Romë konfirmuan se kërcënimet ndaj dy fluturimeve që mbërrinin në kryeqytetin italian ishin dërguar përmes postës elektronike. Mesazhet mbanin firmën e një grupi që e quante veten "Fighters of the Male State", i cili pretendonte se synonte të godiste një regjim feminist dhe kërcënonte me shpërthime në qiell.

Grupi dyshohet se ka lidhje me organizatën ekstremiste ruse "Muzhskoi Legion", e njohur për qëndrimet e saj radikale dhe mbështetjen ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar se ky grup qëndron pas kërcënimeve.

Ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, deklaroi se qeveria po i trajtonte me seriozitet kërcënimet, pavarësisht se ato konsideroheshin alarme të rreme.

Deri më tani, kontrollet nuk kanë zbuluar asnjë lëndë shpërthyese. Hetimet vijojnë për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar nëse incidentet në vende të ndryshme të Europës janë të lidhura me njëri-tjetrin.

Sipas një përditësimi të Reuters më 5 nëntor, numri i fluturimeve të prekura ka arritur në të paktën 27, ndërsa autoritetet ende nuk kanë identifikuar përgjegjësit. /dritare.net