Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Një fëmijë mes të lënduarve nga shpërthimi, reagon Ministria e Shëndetësisë

Një fëmijë mes të lënduarve nga shpërthimi, reagon

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje të reja lidhur me shpërthimin e fuqishëm në një pallat banimi në Elbasan, ku një 83-vjeçar humbi jetën dhe tetë persona të tjerë mbetën të lënduar. Sipas njoftimit zyrtar, mes të lënduarve ndodhet edhe një fëmijë. Të tetë personat po marrin kujdes mjekësor në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku janë mobilizuar ekipet dhe kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Ministria bën të ditur se situata po ndiqet nga afër, ndërsa informacione të mëtejshme mbi gjendjen e pacientëve pritet të publikohen në vijim.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, si pasojë e shpërthimit të ndodhur në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, sipas të dhënave paraprake, 8 persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.

Fatkeqësisht, nga ngjarja ka humbur jetën një 83-vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje.

Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal Elbasan ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të personave të lënduar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me strukturat përkatëse, po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor.

Informacioni mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve do të përditësohet në vijim, bazuar në vlerësimet e ekipeve mjekësore.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net