Panik në aeroportet evropiane! 7 avionë kërcënohen me bombë brenda një dite
Dritare.net

Shtatë avionë pasagjerësh në disa vende të Evropës janë përfshirë këtë të martë në një alarm të gjerë sigurie, pas një serie kërcënimesh për bomba. Autoritetet kanë ndërmarrë kontrolle emergjente në Itali, Spanjë, Poloni dhe Bullgari, ndërsa në disa raste avionët janë shoqëruar nga forcat ajrore ose janë devijuar drejt aeroporteve të tjera.
Sipas BBC, dy avionë të kompanisë Ryanair, që udhëtonin nga Dublini dhe Lisbona drejt Romës, iu nënshtruan kontrolleve të hollësishme pas paralajmërimeve anonime për lëndë shpërthyese. Avioni i nisur nga Dublini u shoqërua nga Forcat Ajrore Italiane deri në uljen në aeroportin Fiumicino. Pas kontrolleve të pasagjerëve, bagazheve dhe avionëve, nuk u gjet asnjë eksploziv.
Një tjetër alarm u regjistrua në Spanjë, ku një avion i Ryanair, i nisur nga Mançesteri, u kontrollua pas uljes në Murcia. Pasagjerët u evakuuan, ndërsa në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, policia dhe ekspertët e çaktivizimit të bombave. Edhe në këtë rast kontrollet rezultuan negative.
Në Poloni, dy fluturime drejt Varshavës u përballën me kërcënime të ngjashme. Njëri prej tyre, i nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës, u devijua drejt aeroportit Modlin, i cili u mbyll përkohësisht. Ndërkohë, një avion i Scandinavian Airlines, që vinte nga Kopenhaga, u ul sipas planit në aeroportin Chopin.
Situata alarmante u regjistrua edhe në Bullgari, ku dy avionë që udhëtonin drejt Sofjes, njëri nga Bergamo e Italisë dhe tjetri nga Dublini, u kërcënuan përmes një emaili anonim. Autoritetet aktivizuan menjëherë protokollet e sigurisë, por pas kontrolleve nuk u gjetën lëndë shpërthyese.
Ende nuk dihet nëse këto incidente janë të lidhura me njëri-tjetrin. Autoritetet e vendeve të përfshira pritet të bashkëpunojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një veprim të koordinuar, me qëllim shkaktimin e kaosit në trafikun ajror europian.
Qeveria britanike i cilësoi kërcënimet si alarme të rreme keqdashëse, ndërsa ekspertët e sigurisë ajrore theksuan se një numër kaq i madh paralajmërimesh brenda së njëjtës ditë është i pazakontë.
Incidentet vijnë vetëm një ditë pasi një avion i Wizz Air, i nisur nga aeroporti Luton i Londrës, kreu ulje emergjente në Budapest, i shoqëruar nga një avion luftarak hungarez, pas një tjetër kërcënimi për bombë. Edhe në atë rast kontrollet nuk zbuluan asnjë eksploziv./dritare/net