Na ndiqni edhe në

Emisionet

Avokatja Kola: Pse SPAK kishte nevojë për një grua!

Avokatja Kola: Pse SPAK kishte nevojë për një grua!

Avokatja Margarita Kola solli një frymë të re në diskutimin në Dekalog, Dritare TV për kreun e ri të SPAK, duke shprehur hapur zhgënjimin për moszgjedhjen e një gruaje në këtë post kyç. Sipas Kolës, gratë në sistemin e drejtësisë kanë treguar shpesh se janë më pak të korruptueshme dhe më të detajuara në hetime, cilësi që do t'i shërbenin shumë SPAK-ut në këtë fazë.

Ajo theksoi se, pavarësisht vlerësimit për Klodian Braho, diversiteti në lidership do të ishte një sinjal i fortë emancipimi për drejtësinë shqiptare.

Por përtej çështjes gjinore, Kola ngriti një shqetësim thelbësor profesional, cilësia e hetimeve. Ajo argumentoi se deri tani, publiku dhe media kanë bërë tifozllëk me numrin e arrestimeve dhe emrat e bujshëm, duke anashkaluar faktin se sa të kopsitura janë këto dosje juridikisht.

"Nuk mjafton të arrestosh, duhet të dënosh" ishte teza e saj, duke paralajmëruar se nxitimi për të kënaqur turmat mund të çojë në dështime spektakolare në gjykatë nëse provat nuk janë të pakontestueshme.

Kola kritikoi praktikën e mbështetjes vetëm tek përgjimet (si ato të Sky ECC) apo tek dëshmitë e të penduarve, pa pasur prova të tjera materiale e shkencore. Ajo solli në vëmendje se doktrina penale kërkon një zinxhir provash që vërtetojnë fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Sfida e vërtetë e Klodian Brahos, sipas avokates, nuk do të jetë të bëjë më shumë arrestime se Altin Dumani, por të sigurojë që ato arrestime të kthehen në dënime të formës së prerë që t'i rezistojnë kohës dhe apelit./dritare.net