Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dante dhe Kadare, një takim i pashmangshëm. Me Maurizio Serra, Remzi Lani, Piro Misha

Dante dhe Kadare, një takim i pashmangshëm. Me Maurizio Serra, Remzi

“Dantja i pashmangshëm”, Kadare dhe lidhja e përjetshme me Italinë! Një mbrëmje reflektimi në Tiranë

Si e pa Ismail Kadare Danten dhe çfarë i bashkon dy kolosët e letërsisë botërore? Kjo ishte tema e mbrëmjes kulturore “Dantja i pashmangshëm” (“Dante l’inevitabile”), e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me familjen e shkrimtarit të madh evropian Ismail Kadare.

Aktiviteti u zhvillua në Europe House, në Tiranë, ku shkrimtarë, studiues, diplomatë dhe miq të Kadaresë u mblodhën për të reflektuar mbi lidhjen mes autorit shqiptar dhe poetit të madh italian, Dante Alighieri, si dhe mbi rolin e letërsisë në afrimin kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në një bisedë të moderuar nga gazetarja Rudina Xhunga, me pjesëmarrjen e diplomatit, shkrimtarit dhe akademikut italian Maurizio Serra, studiuesit Piro Misha dhe gazetarit e publicistit Remzi Lani, u sollën kujtime personale për Kadarenë, u analizua vepra e tij dhe u diskutua rëndësia e letërsisë si urë lidhëse mes dy vendeve. Në takim morën pjesë edhe Helena Kadare dhe Besiana Kadare, të cilat ndanë reflektime mbi trashëgiminë letrare dhe njerëzore të shkrimtarit.

Besiana Kadare e hapi mbrëmjen duke iu rikthyer esesë së të atit për Danten, ku poeti italian shfaqet si një figurë që kapërcen kufijtë kombëtarë dhe historikë. Ajo kujtoi fjalët e Kadaresë se Dantes nuk mund t'i iket, ashtu siç nuk mund t'i iket ndërgjegjes njerëzore.

Duke cituar një nga pasazhet më domethënëse të esesë, Besiana solli në vëmendje idenë se shkrimtari, edhe përballë tiranëve dhe stuhive të historisë, mbetet i gjallë përmes veprës së tij.

Rudina Xhunga e nisi bisedën me një pyetje që përshkoi gjithë takimin: a ndihet mungesa e Kadaresë në momentet e udhëkryqeve morale dhe shoqërore të Shqipërisë? Ajo e vendosi diskutimin në kontekstin e marrëdhënies së veçantë mes Kadaresë, Dantes dhe Italisë, duke e parë letërsinë si një mënyrë për të kuptuar historinë dhe për të reflektuar mbi të tashmen.

Maurizio Serra, diplomat, shkrimtar dhe ish-ambasador i Italisë pranë UNESCO-s, rrëfeu kujtimet nga njohja dhe miqësia e tij me Kadarenë. Ai solli në vëmendje anën njerëzore të shkrimtarit, kureshtjen e tij për të tjerët, bisedat në rreth të ngushtë dhe interesimin e veçantë për Danten.

Gjatë takimit, Serra lexoi edhe një mesazh të akademikut Amin Maalouf, sekretar i përhershëm i Akademisë Franceze, kushtuar Ismail Kadaresë. Mesazhi përbënte një homazh për figurën dhe veprën e shkrimtarit shqiptar, i cili arriti të kapërcejë kufijtë e gjuhës dhe të historisë, duke u bërë pjesë e letërsisë evropiane dhe botërore.

Për Serrën, Kadareja ishte një autor me përmasa universale, i cili e shndërroi përvojën historike shqiptare në letërsi me jehonë përtej kufijve të vendit.

Piro Misha u ndal te një nga dimensionet më pak të vlerësuara të krijimtarisë së Kadaresë: përkthimi. Sipas tij, përkthimi nuk ishte thjesht një veprimtari letrare, por një akt qytetërimi, përmes të cilit shkrimtari synonte ta afronte Shqipërinë me kulturën evropiane. Në një vend të izoluar, ku librat e huaj hapnin dritare drejt një bote të ndaluar, përkthimet dhe esetë e Kadaresë kishin një rëndësi të veçantë.

Misha theksoi se dy nga shqetësimet kryesore që përshkojnë veprën e shkrimtarit janë historia e Shqipërisë dhe dëshira për rikthimin e saj në Evropë, fillimisht përmes kulturës dhe më pas edhe në planin politik e ekonomik.

Remzi Lani solli një lexim të marrëdhënies mes Kadaresë dhe Dantes, duke u ndalur te përzierja e botës së të gjallëve me atë të të vdekurve në veprat e shkrimtarit shqiptar. Ai vuri në dukje se kjo lidhje mund të ndihet te romane si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Pallati i ëndrrave”, ku historia, frika, pushteti dhe ndërgjegjja ndërthuren në një univers letrar që shkon përtej realizmit të zakonshëm.

Lani kujtoi gjithashtu se Kadareja e shihte Danten jo vetëm si një klasik të letërsisë italiane, por si një shkrimtar modern dhe universal, që vazhdon të flasë edhe për njeriun e sotëm.

Një nga temat qendrore të bisedës ishte edhe paradoksi i njohjes së Dantes në Shqipëri gjatë periudhës komuniste. Piro Misha shpjegoi se “Komedia Hyjnore”, veçanërisht Ferri, mund të lexohej përtej rrëfimit letrar, përmes përvojës së njerëzve që jetonin nën një regjim shtypës. Në këtë këndvështrim, letërsia e Dantes fitonte kuptime të reja, ndërsa Kadareja e përdorte kulturën evropiane për të hapur horizonte të tjera për lexuesin shqiptar.

Biseda u zhvendos edhe te trashëgimia e Kadaresë për brezat e rinj. Maurizio Serra theksoi se veprat e shkrimtarëve të mëdhenj i mbijetojnë kohës kur prekin thelbin e identitetit njerëzor. Piro Misha, nga ana e tij, shprehu shqetësimin për mënyrën se si mësohet letërsia në shkolla dhe për nevojën që të nxitet kurioziteti i të rinjve për librin.

Një moment veçanërisht njerëzor erdhi nga Helena Kadare, e cila foli për mënyrën se si bashkëshorti i saj përballonte vështirësitë dhe goditjet e jetës. Ajo tregoi se, megjithëse ishte shumë i ndjeshëm ndaj dhimbjes së të tjerëve, Kadareja shfaqte një forcë të jashtëzakonshme për të përballuar vetë sfidat.

Në përfundim, Rudina Xhunga lexoi një fragment nga eseja e Kadaresë për Danten, ku shfaqet figura e Beatriçes dhe historia e vajzave shqiptare që mbartin këtë emër. Një mbyllje që e zhvendosi bisedën nga analiza letrare te dhimbja njerëzore, kujtesa dhe fati i individit përballë historisë.

Mbrëmja “Dantja i pashmangshëm” solli kështu një reflektim mbi dy autorë që, në kohë dhe rrethana të ndryshme, e kanë parë letërsinë si një mënyrë për të depërtuar në ndërgjegjen njerëzore. Përmes kujtimeve, analizave dhe leximeve personale, takimi riktheu në vëmendje jo vetëm lidhjen e Kadaresë me Danten, por edhe rolin e kulturës në afrimin mes Shqipërisë dhe Italisë.

Sepse, siç sugjeron vetë titulli i mbrëmjes, disa autorë nuk i përkasin vetëm kohës apo vendit ku kanë jetuar. Ata mbeten të pashmangshëm për sa kohë që veprat e tyre vazhdojnë të na përballin me pyetjet më të vështira të historisë dhe të ndërgjegjes njerëzore./dritare.net