Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë ndodh në momentet tona të fundit, të jetës!

Çfarë ndodh në momentet tona të fundit, të
Momenti i ndërrimit të jetës duket se sjell një shprehi lehtësie për të ndjerin. Por çfarë po ndodh në mendjet tona?

Nga Seamus Coyle

Njerëzit shpesh duken sikur po flenë pasi vdesin, duke pasur një shprehi neutrale të fytyrës. Por një nga të afërmit e mi, i cili kishte dhimbje të forta orët e fundit, kishte një shprehi rrezatuese, ekstazore. Për dekada, kam pyetur veten nëse minutat e fundit të jetës mund të jenë euforike. “A mundet që vdekja të shkaktojë një fluks të endorfinave, veçanërisht në mungesë të qetësuesve?”,- pyet Göran, 77 vjeç, Helsingborg, në Suedi.

Shpesh supozohet se jeta zhvillon një betejë deri në çastet e fundit kundër vdekjes. Por a është e mundur, të pajtoheni me vdekjen?

Si ekspert i kujdesit paliativ, unë mendoj se ka një proces për të vdekur që ndodh dy javë para se të ndërrojmë jetë. Gjatë kësaj kohe, njerëzit kanë tendencë të bëhen më pak të mirë. Ata zakonisht stërmundohen të ecin dhe bëhen më të përgjumur, duke arritur të qëndrojnë zgjuar për periudha më të shkurtra. Në ditët e fundit të jetës, aftësia për të gëlltitur ilaçe ose për të konsumuar ushqim dhe pije ulet.

Në këtë kohë ekspertët në kujdesin paliativ thonë se njerëzit po "vdesin në mënyrë aktive", dhe ne zakonisht mendojmë se kjo do të thotë se ata kanë dy ose tri ditë kohë për të jetuar. Por ka raste që këto faza disa njerëz mund t’i kalojnë brenda ditës. Dhe disa njerëz mund të qëndrojnë në prag të vdekjes për gati një javë para se të vdisnin, diçka që zakonisht është shqetësuese për familjet. Pra, ka gjëra të ndryshme që ndodhin me njerëz të ndryshëm dhe ne nuk mund t'i parashikojmë ato.

Momenti i vdekjes është i ndërlikuar për t’u shpjeguar. Por një studim ende i pabotuar nga grupi im sugjeron që, ndërsa njerëzit i afrohen vdekjes, ka një rritje të kimikateve të stresit në trup. Për njerëzit me kancer, mbase dhe te të tjerët, inflamatorët rriten. Këto janë kimikate që rriten kur trupi po lufton një infeksion.

Ju sugjeroni që mund të ketë gjithashtu një rritje të madhe të endorfinës para se dikush të vdesë. Por ne nuk e dimë pasi askush nuk e ka shqyrtuar ende këtë mundësi. Megjithatë, një studim i vitit 2011 tregoi se nivelet e serotoninës, një kimikate tjetër i trurit që mendohet se kontribuon në ndjenjat e lumturisë, u trefishua në trurin e gjashtë minjve ndërsa ngordhën. Ne nuk mund të përjashtojmë që diçka e ngjashme mund të ndodhë te njerëzit, shkruan dritare.net

Sidoqoftë, është një sugjerim interesant dhe teknologjia për të parë nivelet e endorfinës dhe serotoninës te njerëzit ekziston.

Nuk ka asnjë provë që tregon se  qetësueset si morfina do të parandalojnë prodhimin e endorfinave. Por shumë njerëz nuk kanë dhimbje kur vdesin. Vëzhgimet dhe diskutimet e mia me kolegët tregojnë se nëse një person nuk ka pasur dhimbje më parë, është e pazakontë që ajo të bëhet problem gjatë procesit të vdekjes. Nuk e dimë pse ndodh, kjo mund të lidhet me endorfinat.

Ka një numër procesesh në tru që mund të na ndihmojnë të kapërcejmë dhimbjet e forta. Kjo është arsyeja pse ushtarët në fushëbetejë shpesh nuk ndiejnë dhimbje, kur plagosen dhe janë gati në të vdekur. Por çfarë mund të shkaktojë një përvojë euforike gjatë vdekjes, përveç endorfinave? Ndërsa trupi vdes, truri preket. Është e mundur që mënyra sesi kjo ndodh, ndikon disi në përvojat që kemi në momentin e vdekjes.

Procesi i vdekjes është i shenjtë për budistët, të cilët besojnë se momenti i vdekjes siguron një potencial të madh për mendjen. Ata e shohin ndërrimin e jetës si ngjarjen më të rëndësishme të jetës, informon dritare.net

Kjo nuk do të thotë që fetarët kanë përvoja më të gëzueshme me vdekje. Unë kam qenë dëshmitar i priftërinjve dhe murgeshave që ishin shumë në ankth kur po u afrohej vdekja, ndoshta nga frika e gjykimit.

Në fund të fundit, çdo vdekje është e ndryshme dhe nuk mund të parashikoni se kush do të ketë një vdekje paqësore. Disa nga ata që kam parë të vdesin nuk kanë pasur fluks endorfinash. Ne dimë shumë pak për atë që ndodh kur dikush po vdes. Pas 5,000 vjet mjekësi, ne mund të themi sesi vdes një njeri nga mbytja apo sulmi në zemër, por nuk e dimë sesi vdes nga kanceri  ose pneumonia.

Është e mundur që ne të përjetojmë momentin tonë më të thellë në humbëtirën e errët midis jetës dhe vdekjes. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ‘tërbohemi’ me vdekjen.  Siç e tha diplomati suedez Dag Hammarskjöld: “Mos e kërkoni vdekjen. Vdekja do t’ju gjejë. Por kërkoni rrugën që e bën vdekjen një përmbushje. "/Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net