
Tyler, je ti?/ Si ndihmoi babai në arrestimin e vrasësit të Charlie Kirk
Dritare.net
Pas më shumë se 30 orësh kërkime intensive, autoritetet amerikane arrestuan 22-vjeçarin Tyler Robinson, i dyshuar si autori i vrasjes së aktivistit konservator dhe figurës mediatike Charlie Kirk. Rasti mori një kthesë të papritur, kur ishte vetë babai i Robinson që e njohu të birin në pamjet e shpërndara nga policia dhe e denoncoi tek autoritetet.
Sipas raportimeve, babai arriti ta bindte djalin të fliste me një pastor rinie, i cili bashkëpunonte me Shërbimin e Marsharëve dhe Zyrën e Sheriff-it të Washington County. Informacioni u përcoll menjëherë tek FBI dhe autoritetet lokale, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij.
“Është një ngushëllim të dimë se e kapëm,” tha guvernatori i Utah, Spencer Cox, në një konferencë për shtyp, ndërsa FBI konfirmoi se kishte marrë mbi 7,000 pista nga publiku.
Hetuesit thanë se një sërë provash çuan tek Robinson:
Mesazhet e tij në platformën Discord, ku shprehte kundërshtim të hapur ndaj pikëpamjeve të Kirk dhe paralajmëronte praninë në eventin në Universitetin e Utah Valley (UVU); pamjet e sigurisë që tregonin një Dodge Challenger gri pranë vendngjarjes; gjurmët e gishtërinjve dhe shenjat e këpucëve të gjetura në çatinë e ndërtesës, nga ku u qëllua.
Kur u arrestua, Robinson mbante të njëjtat rroba që kishte veshur gjatë sulmit. Autoritetet sekuestruan një pushkë bolt-action dhe disa gëzhoja me mbishkrime provokuese, të lidhura me ngjarjen.
Arrestimi dhe akuzat
Robinson fillimisht pranoi të kishte qëlluar, por më pas heshti pasi kontraktoi një avokat. Ai ndodhet në paraburgim pa mundësi depozite dhe përballet me akuza të rënda, përfshirë vrasje të rëndë dhe përdorim të armëve të zjarrit. Procesi gjyqësor pritet të nisë këtë të martë.
Guvernatori Cox deklaroi se shteti do të kërkojë dënim me vdekje për autorin e dyshuar, duke theksuar:
“Ka një person të vetëm përgjegjës për këtë tragjedi, dhe ai tani është në pranga.”
Ndihma e familjes, çelësi i kapjes
Një rol vendimtar në zbulimin e autorit luajtën personat më të afërt të tij – babai dhe një mik i familjes – të cilët bashkëpunuan me autoritetet dhe dhanë informacionin vendimtar për arrestimin. Ky veprim u vlerësua nga hetuesit si kthesa kryesore që e mbylli një prej operacioneve më të mëdha të kërkimit në Utah vitet e fundit./L.F-dritatre.net

















