
Shkencëtarët krijojnë mbrojtje të re kundër herpesit për miliona njerëz
Dritare.net
Shkencëtarët në Gjermani kanë bërë një zbulim që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si trajtohet herpesi. Një nanoantikorp i zhvilluar në laborator është treguar i aftë të neutralizojë si virusin HSV-1, ashtu edhe HSV-2, duke e bllokuar përpara se të infektojë qelizat. Rezultatet u publikuan në revistën prestigjioze Nature.
Çdo vit më shumë se 40 milionë njerëz infektohen me herpes, ndërsa rreth 60% e popullsisë botërore bart virusin HSV-1, i cili zakonisht shfaqet me flluska në buzë. Afërsisht 20% e popullsisë është bartëse e herpesit gjenital, që shkaktohet kryesisht nga HSV-2.
Për shumicën, simptomat janë të bezdisshme, por jo kërcënuese për jetën. Megjithatë, te foshnjat ose te personat me sistem imunitar të dobësuar, infeksioni mund të ketë pasoja fatale, nga dëmtimet neurologjike të përhershme deri te vdekja.
Medikamentet e tanishme ndihmojnë vetëm gjatë shpërthimeve aktive të virusit, por nuk ofrojnë parandalim dhe nuk e prekin formën e tij latente që fshihet në trup për vite me radhë.
Risia erdhi nga një burim i pazakontë, një alpaka. Këto kafshë, ashtu si llamat dhe devetë, kanë antitrupa më të thjeshtë se njeriu, të cilët mund të zvogëlohen në nanoantikorpë jashtëzakonisht të fuqishëm.
Studiuesit gjermanë izoluan proteinën gB të virusit të herpesit, molekulë kyçe që i lejon virusit të shkrirë membranën e vet me atë të qelizës për të futur brenda materialin gjenetik. Ata imunizuan një alpaka me këtë proteinë dhe më pas nga gjaku i saj nxorën antitrupat, të cilët u përpunuan në formë nano.
Nga rreth një miliard variante të mundshme, vetëm një nanoantikorp u tregua efektiv: ai e bllokoi proteinën gB në fazën “parafuzion”, duke e penguar të ndryshojë formë. Rezultati? Virusi nuk mund të futet në qelizë.
Ky nanoantikorp unik funksionon kundër të dy formave kryesore të herpesit: HSV-1 dhe HSV-2, diçka që deri sot nuk ishte arritur me asnjë terapi.
“Nanopjesëzat mund të përdoren jo vetëm si shtesë ndaj barnave ekzistuese, por edhe si masë parandaluese për njerëzit më të rrezikuar, si foshnjat, pacientët me HIV, me kancer ose pas transplantimeve,” theksoi Benjamin Vollmer, autor kryesor i studimit.
Një nga aplikimet e para praktike mund të jetë te gratë shtatzëna me infeksion aktiv. Me anë të nanoantikorpëve, foshnjat e tyre mund të mbrohen nga infektimi gjatë lindjes.
Ekipi ka depozituar tashmë patentë për këtë teknologji dhe po kërkon bashkëpunime me industrinë farmaceutike. Nëse provat klinike tek njerëzit konfirmojnë rezultatet, ky zbulim do të hapë një kapitull të ri në luftën kundër herpesit, një virus që prek miliarda njerëz, por që deri tani nuk kishte as vaksinë, as terapi parandaluese të besueshme./K.C/dritare.net

















