
A mund ta parandalojë infarktin, një vaksinë? Çfarë thotë studimi i fundit!
Dritare.net
Një zbulim i fundit nga një grup shkencëtarësh në Finlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar po hap një kapitull të ri në luftën kundër infarktit të miokardit. Studimi i publikuar në Journal of the American Heart Association tregon se infarkti mund të konsiderohet, një sëmundje infektive, duke sfiduar kështu kuptimin tradicional mbi shkaqet e tij.
Sipas hulumtuesve, pllakat aterosklerotike që formohen në arterie, të pasura me kolesterol, mund të strehojnë një biofilm bakterial xhelatinoz, i cili ndërtohet gjatë shumë viteve. Ky biofilm mbron bakteret nga sistemi imunitar dhe nga antibiotikët, duke i mbajtur ato në gjendje “gjumë”.
Megjithatë, një infeksion viral ose një faktor tjetër i jashtëm mund të aktivizojë bakteret, duke shkaktuar përhapjen e tyre dhe një reagim inflamator. Ky proces mund të çojë në çarjen e mbulesës fibroze të pllakës, në formimin e trombeve dhe për pasojë, në infarkt.
“Deri tani besohej se sëmundja koronare shkaktohej kryesisht nga oksidimi i LDL (‘kolesterolit të keq’). Kishte dyshime për rolin e baktereve, por mungonin provat. Ne gjetëm ADN të baktereve orale brenda pllakave aterosklerotike”, shpjegon profesori Pekka Korhonen, drejtues i studimit.
Përmes përdorimit të antitrupave që shënjestronin bakteret, studiuesit arritën të zbulojnë qartë strukturat e biofilmit në indet arteriale. Madje, në raste infarkti u vu re lirimi i baktereve nga biofilmi, duke nxitur reagim imunitar dhe çarje të pllakës.
Këto rezultate hapin mundësi të reja për diagnostikimin dhe trajtimin e infarktit, por mbi të gjitha, krijojnë perspektivën e zhvillimit të një vaksine parandaluese kundër sëmundjes koronare dhe infarktit të miokardit./K.C/dritare.net

















