Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

E pazgjidhur: Vrasja e një arkitekti nga Kosova që imagjinonte një Prishtinë tjetër

E pazgjidhur: Vrasja e një arkitekti nga Kosova që imagjinonte

Si urbanist, Rexhep Luci luftoi për të sjellë rregull në kryeqytetin e Kosovës. Me vrasjen e tij 25 vjet më parë, qyteti e humbi betejën kundër ndërtimit të paligjshëm, të pakontrolluar dhe kaotik, ndërsa rasti nuk u zgjidh kurrë.

Nga Serbeze Haxhiaj

Në mbrëmjen e 11 shtatorit 2000, Rexhep Luci doli nga një takim në Hotel “Grand” në Prishtinë dhe u nis për në shtëpi.

Luci ishte drejtor i planifikimit hapësinor, rindërtimit dhe zhvillimit në komunën e kryeqytetit të Kosovës, i cili ishte mbushur me njerëz pas luftës së viteve 1998-1999. Në vitin 1985, Luci kishte udhëhequr hartimin e një plani 15-vjeçar urban, të quajtur “Prishtina 2000”, por pa arritur ta shihte të realizuar, pasi Kosova ra pre e nacionalizmit serb dhe plani u la mënjanë.

Ato ditë shtatori, Luci ishte takuar me një grup ekspertësh për të diskutuar kriteret e përkohshme të ndërtimit në qytet.


58-vjeçari dëshironte një plan të ri 20-vjeçar për të frenuar përhapjen e ndërtesave shumëkatëshe dhe për të sjellë rend në zhvillimin urban të Prishtinës, por zyrtarët e Kombeve të Bashkuara që administronin Kosovën pas luftës e kishin shkurtuar atë në vetëm pesë vjet. Po ashtu, i takonte Lucit të urdhëronte prishjen e ndërtimeve pa leje.

Atë mbrëmje, sapo iu afrua hyrjes së shtëpisë, Luci u qëllua gjashtë herë pas shpine.


Një çerek shekulli më vonë, vrasësi i tij ende nuk është identifikuar, mes dyshimeve të vazhdueshme se vrasja e Lucit lidhej me vendosmërinë e tij për të frenuar ndërtimin e pakontrolluar që prej asaj kohe ka shëmtuar kryeqytetin e shtetit më të ri të Evropës.


Kolegu dhe miku i tij i ngushtë, arkitekti Arbër Shita, i cili kishte ndihmuar në hartimin e “Prishtina 2000”, tha se Luci kishte qenë i shqetësuar ditët para vrasjes.

“Dukej i merakosur, i frikësuar”, tha Shita, tashmë 66 vjeç. “Pashë si i dridheshin duart. Por nuk donte të fliste, prandaj unë e mora me shaka.”

“Vrasja ishte konfirmim se ai vërtet ishte paralajmëruar”, tha ai për BIRN. “Vrasja e arkitektit ishte vrasja e qytetit, e vizionit.”

I kërcënuar?

Djali i Lucit, Lisi, e pa të atin për herë të fundit disa ditë para se të vritej, kur Luci e çoi atë në aeroportin e Shkupit dhe ai u nis për në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar shkollimin.


“Isha 17 vjeç kur u largova dhe nuk e dija se po i thosha lamtumirë për herë të fundit”, tha Lisi, sot 41 vjeç e me banim në Bruksel. “Kur mora lajmin për atentatin, u detyrova ta përballoja dhimbjen në mënyrën më racionale. Duhej të vazhdoja studimet, sepse e dija që kjo kishte shumë rëndësi për të.”

Luci kishte insistuar që i biri të shkonte jashtë për të studiuar. Vëllai i tij, xhaxhai i Lisit, Kemajl Luci, kujton momentin e nisjes së Lisit për në SHBA. Sipas tij, Luci “u ndje i lehtësuar vetëm pasi e kuptoi që ai kishte arritur në aeroport”.

Kemajli beson ende sot se vrasësi i të vëllait e kishte kërcënuar tashmë se do t’i bënte keq familjes, prandaj Luci e dërgoi të birin në SHBA sa më shpejt që mundi.

Ishte Kemajli ai që u desh ta merrte trupin e tij nga morgu. Atë vazhdon ta mundojë dështimi i administratave të njëpasnjëshme – të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe vetë Kosovës – për të gjetur vrasësin e vëllait të tij.

“Nuk jam marr kurrë në pyetje nga ndonjë prokuror apo polici hetues, as familja”, tha ai.

“Vite më vonë, u takova me një hetues të OKB-së i cili më tha se ishte afër zgjidhjes së rastit, por ai u transferua brenda policisë së OKB-së”, tha Kemajli për BIRN. “Duket sikur zgjidhja e vrasjes do të kishte prishur planet e dikujt.”

Urdhrat për shembje

Luci, emrin e të cilit sot e mban një nga rrugët kryesore të Prishtinës, ishte pjesë e gjeneratës së parë të urbanistëve të shkolluar në Kosovë. Ai studioi në Beograd dhe u kthye në Kosovë, atëherë pjesë e Jugosllavisë socialiste, në vitin 1969.

Prishtina ishte tashmë në rritje; pazari i epokës osmane, një xhami, një kishë katolike dhe një sinagogë u rrënuan në emër të mantrës jugosllave – “shkatërro të vjetrën, ndërto të renë”.

Luci planifikoi dy nga lagjet më moderne të Prishtinës – Dardania dhe Bregu i Diellit.

Si kryetar i Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit (BVI), ai mbikëqyri projektet më të mëdha ndërtimore në Prishtinë midis viteve 1978 dhe 1986.


Më pas, SlLobodan Millosheviçi erdhi në pushtet në Serbi, duke nxitur nacionalizmin serb me pretendime për një “gjenocid” kundër serbëve pakicë në Kosovë dhe Kroaci. Në vitin 1989, Millosheviçi e shfuqizoi autonominë e Kosovës brenda republikës socialiste të Serbisë dhe shqiptarët u përjashtuan nga institucionet publike.

Luci u shkarkua nga BVI-ja dhe shtëpia e tij iu konfiskua, duke e detyruar atë të kthehej të jetonte me prindërit.

Pasoi një dekadë rezistence paqësore, gjatë së cilës, siç kujton Shita, “regjimi nuk lejonte asgjë” sa i përket ndërtimit.

Në fund, rezistenca paqësore u zëvendësua me luftë të armatosur; përgjigjja brutale e Millosheviçit shkaktoi 11 javë bombardime të NATO-s dhe Kosova kaloi nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Luci u rikthye në punë, pikërisht në kohën kur shqiptarët e Kosovës – me shtëpitë e shkatërruara – vërshonin nga fshatrat në Prishtinë në kërkim të strehimit dhe punës.

Ndërtimet nisën me ritme të shpejta, por shpesh pa leje.

Në vitin 1978, Luci i kishte thënë një gazetari: “Qytetet duhet të pasqyrojnë shpirtin e njerëzve të tyre, jo vetëm lakminë e ndërtuesve.”

Pas luftës, ai denoncoi atë që e quante “gangrena e ndërtimeve pa leje” dhe kërkoi mbajtjen e dëgjesave publike.

Sipas raporteve të kohës, në Prishtinë kishte mes 5,000 dhe 7,000 ndërtesa në ndërtim e sipër, por ishin dhënë vetëm 30 leje.

Dy ditë para vrasjes së Lucit, një hotel që po ndërtohej në mënyrë të paligjshme në Parkun Kombëtar të Gërmisë u shemb me urdhrin e tij. Një raport i misionit paqeruajtës të KFOR-it të udhëhequr nga NATO tha se ai mund të ishte vrarë nga figura “mafioze” të lidhura me industrinë e hoteleve.

“Ne nuk kishim ndonjë tregues të drejtpërdrejtë se vrasja lidhej me këtë”, tha Shita. “Por mbetet fakti që vrasja ndodhi dhe kurrë nuk u zbulua kush e kreu atë.”

Jo shumë kohë pas vrasjes, policia e OKB-së arrestoi tre burra, por mungesa e provave bëri që ata të liroheshin shpejt. Deri më sot, askush nuk është akuzuar për vrasjen e Lucit.

“Gjithçka u bë kaotike”

Djali i Lucit, Lisi, e kujton të atin si të pakompromis, një njeri me integritet në jetën personale dhe profesionale.

“Ai i bënte të gjitha si individ, i pa ndikuar nga politika dhe pa bërë kompromis në profesionin e tij”, tha ai.

“Që nga fëmijëria, pashë se sa i përkushtuar ishte ai për të rregulluar planin urban të qytetit. Sot kam përshtypjen se shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se ka ekzistuar një plan i mirëfilltë për Prishtinën, mbi të cilin dikush kishte punuar për dekada.”

“Me kalimin e kohës, duke parë gjendjen e çrregullt të qytetit, e kam kuptuar sa ndikim të madh ka planifikimi urban në cilësinë e jetës.”

Një ditë pas vrasjes së Lucit, përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë në atë kohë, francezi Bernard Kouchner, tha se ai “luftoi dhe veproi sipas rregullave të një shoqërie civile, jo sipas rregullave të gangsterizmit”.

Si urbanist, megjithatë, ai ishte pazëvendësueshëm.

“Pas vrasjes së tij, gjithçka u bë kaotike”, tha Shita. Prishtina u mbyt në beton ndërsa u dhanë leje për miliona metra katrorë ndërtimesh të dobëta, pa planifikim dhe shpesh pa respektuar rregullat e sigurisë.

“Kur dëgjoj ankesa për ngarkesën urbane, trafikun, ndotjen ose mungesën e hapësirave të gjelbra, ua kujtoj njerëzve se mund të kishte ekzistuar edhe një Prishtinë tjetër, më e banueshme”, tha Lisi.

Shita tha se ai nuk vendos kurrë lule në varrin e mikut të tij në përvjetorin e vdekjes. “Çdo vit, në vend të luleve, çoj një laps te varri i tij.”/tema.net