
Fotot/ Çfarë nuk u pa nga seanca e parë e Kuvendit!
Dritare.net
Seanca e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot mes ceremonisë së betimit dhe tensioneve të forta politike. 140 deputetët e rinj, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, u mblodhën për herë të parë, mes tyre 72 që ulen për herë të parë në karrigen e ligjvënësit.
Tradicionalisht seancën e parë e hap deputeti më i vjetër, por si Sali Berisha ashtu edhe Tritan Shehu e refuzuan këtë rol. Për këtë arsye, drejtimin e mori deputeti socialist Vasil Llajo, i cili në fjalën e tij bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim politik, duke vënë theksin te shërbimi ndaj qytetarëve dhe integrimi evropian.
U ngrit Komisioni Provisional për Verifikimin e Mandateve, ndërsa si sekretare të përkohshme u caktuan tri deputetet më të reja: Marjana Koçeku, Zeqine Çaushi dhe Klodiana Çapja.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj refuzuan të propozonin emrat për Komisionin e Verifikimit, duke akuzuar mazhorancën për përjashtim dhe shkelje të procedurave. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe kërkuan fjalën për Sali Berishën, i cili lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe për “kapje të institucioneve”.
Në sallë u shfaqën pankarta dhe thirrje kundër mazhorancës, ndërsa tensionet çuan në ndërprerjen e seancës. Kryesuesi Llajo vendosi shtyrjen e saj për orën 17:00 të pasdites, kur pritet të bëhet betimi formal i deputetëve.
Përveç debateve politike, vëmendje morën edhe detaje nga paraqitja e deputetëve të rinj. Sara Mile u shfaq me një shall të “pikturuar” me sharjet që kishte marrë gjatë fushatës, si mesazh kundër gjuhës së urrejtjes.
Deputetja Marjana Koçeku tërhoqi gjithashtu komente për modelin e ri të flokëve, ndërsa Iris Luarasi u shfaq me një këmishë, ndryshe nga pjesa më e madhe e kolegeve që kishin zgjedhur kostum.
Me gati gjysmën e Kuvendit të përbërë nga deputetë të rinj, pritshmëritë për ndryshim dhe transparencë janë të larta. Megjithatë, nisja me tensione dhe bllokime tregon se rruga e re legjislative do të shoqërohet me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës./K.C/dritare.net

















