Na ndiqni edhe në

Sport

PSG shpallet kampione e Europës për të dytin sezon radhazi

PSG shpallet kampione e Europës për të dytin sezon radhazi

Paris Saint-Germain ka fituar UEFA Champions League 2025/26, pasi mposhti Arsenalin me rezultatin 4-3 pas penalltive në finalen e madhe të zhvilluar në “Puskás Arena” të Budapestit. Ndeshja u mbyll 1-1 pas 120 minutave lojë.

Arsenali e nisi në mënyrë perfekte finalen, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të me Kai Havertz, i cili realizoi pas një aksioni të shpejtë ofensiv. “Topçinjtë” ruajtën epërsinë gjatë pjesës së parë dhe shkuan në pushim me rezultatin 1-0.

PSG reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazonte në minutën e 65-të. Ousmane Dembélé u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin që riktheu francezët në lojë.

Pavarësisht rasteve nga të dyja skuadrat, koha e rregullt dhe shtesat nuk prodhuan gol tjetër, duke bërë që fituesi të vendosej nga penalltitë.

Nga pika e bardhë, PSG u tregua më i saktë. Për kampionët francezë gaboi vetëm Nuno Mendes, ndërsa te Arsenali dështuan Eberechi Eze dhe Gabriel, çka rezultoi vendimtare për fatin e trofeut.

Me këtë sukses, PSG mbron titullin europian të fituar sezonin e kaluar dhe ngjitet sërish në majën e futbollit europian, ndërsa Arsenali mbetet ende në kërkim të trofeut të parë në Champions League.