
Live/ Betohen 140 deputetët e Kuvendit, nis zyrtarisht Legjislatura e XI
Dritare.net
Pas procedurave të mëngjesit dhe tensioneve mes mazhorancës dhe opozitës, seanca e pasdites në orën 17:00 solli momentin solemn të betimit të deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Të gjithë 140 ligjvënësit e rinj u ngritën në këmbë dhe betuan, duke nisur zyrtarisht punën e Legjislaturës së XI të Kuvendit të Shqipërisë. Ky akt formal i hap rrugë procesit të konstituimit të plotë të Parlamentit dhe zgjedhjes së strukturave drejtuese.
Ndër 140 deputetët, 72 janë të rinj, që për herë të parë marrin mandatin e ligjvënësit. Ky është numri më i lartë i përfaqësuesve të rinj që hyn në Kuvend në një dekadë, duke reflektuar ndryshimet e sjella nga zgjedhjet e fundit.
Seanca e paradites u karakterizua nga bllokimi i foltores nga opozita, e cila kundërshtoi ngritjen e Komisionit të Verifikimit të Mandateve pa pjesëmarrjen e saj. Megjithatë, në pasdite, procedura e betimit u zhvillua e qetë dhe pa ndërprerje, duke u shoqëruar me duartrokitje nga të pranishmit. Pas betimit të deputetëve, Kuvendi do të vijojë me betimin e ministrave, Kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve dhe Byrosë Parlamentare. Këto vendime do të përcaktojnë funksionimin e brendshëm të legjislaturës së re./K.C/dritare.net

















