
Niko Peleshi zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit
Dritare.net
Niko Peleshi është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, duke udhëhequr Legjislaturën e XI. Peleshi u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim. Në votim morën pjesë 87 deputetë. Seanca e sotme u zhvillua nën tensione, pasi pjesa më e madhe e opozitës vendosi të bojkotojë procesin e votimit.
Megjithëse shumica e deputetëve të opozitës mungoi, disa anëtarë që ishin prezentë votuan. Rezultati final tregon se shumica e votave pro janë të mazhorancës, e cila dominon Kuvendin me numrin e deputetëve të vet. Kjo e bën zgjedhjen e tij legjitime nga pikëpamja e rregullores parlamentare, megjithatë opozita ka refuzuar ta njohë procesin si të plotë.
Tani Kuvendi do të vijojë me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe formimin e Byrosë Parlamentare, çështje që pritet të nxjerrin në pah më tej përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës./K.C/dritare.net

















