Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

SHBA i pezulloi dialogun strategjik, reagon qeveria e Kosovës

SHBA i pezulloi dialogun strategjik, reagon qeveria e Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të qëndrueshme dhe se Kosova është partneri më serioz i saj për stabilitet dhe paqe në rajon.

Në një shkrim të gjatë në Facebook, Kryeziu ka thënë se qeveria ka përmbushur mandatin e plotë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, duke kontribuar në stabilitet institucional dhe zhvillim socio-ekonomik, përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë. Ai shtoi se veprimet e ekzekutivit kanë qenë gjithmonë të ligjshme dhe kushtetuese, duke synuar eliminimin e vatrave të destabilitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, veçanërisht në veri.


Kryeziu theksoi se Kosova ka depolitizuar integrimin e komunitetit serb, duke i mbrojtur qytetarët nga strukturat ilegale të Serbisë dhe duke ofruar masa konkrete si punësimi dhe verifikimi i diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Sa i përket kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese, ai ka thënë se qëndrimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka qenë i qartë, duke e akuzuar Gjykatën për vonesa në vendimmarrje dhe për cenimin e karakterit demokratik të Republikës.


Në fund, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë u shpreh mirënjohës për kontributin e SHBA-së ndaj Kosovës

“I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete, përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Reagimi i plotë:


“Qeveria jonë ka qenë e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë. Kjo i ka kontribuar stabilitetit institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik të vendit, përkundër gjitha sfidave globale që kemi përjetuar nga viti 2021 e tutje, përfshirë këtu pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.

Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre. Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.

Ne e kemi depolitizuar integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Vullneti i bashkëqytetarëve tanë për integrim nuk ka munguar asnjëherë. Por ai shpesh ka qenë i sfiduar e i shtypur nga struktura ilegale e grupe kriminale. Ne jemi përballur me strukturat e Serbisë në Kosovë jo me serbët e Kosovës. Asnjëherë nuk i kemi barazuar qytetarët serb në Kosovë me strukturat ilegale e paralele të Serbisë në Kosovë. Përkundrazi, ne i kemi mbrojtur dhe i mbrojmë bashkëqytetarët tanë serb nga po këto struktura që për shumë gjatë janë përdorur si mekanizma dhe instrumente frikësimi, kërcënimi e kontrolli. Në të njëjtën kohë, duke i zëvendësuar ato me institucionet të Republikës së Kosovës jemi siguruar që nuk ka vakuum të shërbimeve. Gjithashtu jemi angazhuar për integrim të qëndrueshëm të serbëve në shoqërinë dhe institucionet tona, sidomos nëpërmjet punësimit dhe arsimit, siç është rasti me masën për punësim për banorët e katër komunave në veri të vendit dhe verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut me qëllim lehtësimin e punësimit të bashkëqytetarëve nga radhët e komunitetit serb, krahas masave të tjera e të shumta sociale nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt pjesëtarët e këtij komuniteti.


Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës. Rikujtojmë se aktualisht janë 18 ligje ende pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë në pritje të shqyrtimit të paktën qe 9 muaj, me theks te Ligji për Fondin Sovran që është pa përgjigje më shumë se 1 vit e 8 muaj.

Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”/KohaDitore