
Trump trondit tregtinë globale. Tarifa të reja ndaj 90 vendeve!
Dritare.net
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka vendosur një valë të re tarifash të gjera që prekin më shumë se 90 vende në mbarë botën, masa që tashmë kanë hyrë në fuqi. Ky është një prej ndërhyrjeve më të ashpra tregtare që ka ndërmarrë ndonjëherë një president amerikan.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se “miliarda dollarë po hyjnë në SHBA falë tarifave”, duke e cilësuar këtë si fitore për ekonominë amerikane.
Një nga goditjet më të rënda ishte ndaj Indisë, e cila u përball me një tarifë 50%, që do të hyjë në fuqi më 27 gusht, përveç nëse ndalon blerjen e naftës ruse.
Trump gjithashtu paralajmëroi një tarifë 100% për çipat kompjuterikë të prodhuar jashtë SHBA-ve, në përpjekje për të nxitur kompanitë teknologjike të investojnë në tokën amerikane. Apple, në këtë kuadër, njoftoi një investim të ri prej 100 miliardë dollarësh në SHBA, pas presionit nga Shtëpia e Bardhë për të zhvendosur më shumë prodhim në vend.
Javën e kaluar, administrata Trump publikoi një listë të përditësuar të tarifave për dhjetëra partnerë tregtarë, duke u dhënë atyre afat deri më 7 gusht për të arritur marrëveshje me SHBA-në. Shumë vende kanë garuar për të siguruar marrëveshje që do të reduktojnë ose shmangin këto tarifa, të cilat Trump i quan “tarifa reciproke”.
Ekonomitë e Azisë Juglindore, të cilat varen nga eksportet, ishin mes më të goditurave. Laosi dhe Myanmari u përballën me tarifa prej 40%, ndërsa ekspertët vlerësojnë se shumë prej këtyre masave synojnë vende me lidhje të ngushta tregtare me Kinën.
Megjithatë, tregjet e aksioneve në Azi reaguan me qetësi. Indekset kryesore në Japoni, Hong Kong, Korenë e Jugut dhe Kinën kontinentale panë rritje të lehtë, ndërsa India dhe Australia shënuan rënie.
Ekonomisti Bert Hofman nga Universiteti Kombëtar i Singaporit deklaroi se “kjo duket të jetë vala e fundit, tani mund të fillojmë të analizojmë ndikimin e tyre”.
Disa ekonomi kryesore, përfshirë Britaninë, Japoninë dhe Korenë e Jugut, kanë arritur marrëveshje për tarifa më të ulëta se ato të kërcënuara më parë në prill. Edhe Bashkimi Evropian ka rënë dakord për një tarifë 15% mbi mallrat që eksporton drejt SHBA-ve, në një marrëveshje kuadër me Uashingtonin.
Zvicra, që nuk arriti marrëveshje me SHBA-në, do të mbajë një takim urgjent, pasi tarifa 39% që i është vendosur mund të dëmtojë rëndë ekonominë zvicerane.
Edhe Tajvani, një aleat i rëndësishëm i Uashingtonit në Azi, është përballur me një tarifë 20%, të cilën presidenti Lai Ching-te e quajti “të përkohshme”, ndërsa bisedimet janë ende në zhvillim.
Ndërkohë, Kanadaja u godit me një rritje të tarifës nga 25% në 35%, pasi Trump akuzoi vendin se “nuk po bashkëpunon” për të ndalur trafikun e fentanilit dhe drogërave të tjera drejt SHBA-ve. Megjithatë, pjesa më e madhe e eksporteve kanadeze nuk do të preken për shkak të marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lirë USMCA.
Tarifat ndaj Meksikës janë pezulluar për 90 ditë të tjera, ndërsa negociatat vazhdojnë për një marrëveshje të re tregtare./K.C/dritare.net

















