Na ndiqni edhe në

Bota

Trump akuzon për sabotim të trefishtë, në Kombet e Bashkuara, kërkon hetim zyrtar

Trump akuzon për sabotim të trefishtë, në Kombet e

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar një hetim të plotë pas incidenteve teknike që ai i përshkroi si “sabotim të trefishtë” gjatë vizitës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, të martën.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha:
“Një TURP i vërtetë ndodhi dje në Kombet e Bashkuara — jo një, jo dy, por tre ngjarje shumë të dyshimta!”

Incidentet

Sipas presidentit, problemet nisën me ndalimin e papritur të një shkallë lëvizëse, ku ai dhe zonja e parë Melania Trump rrezikuan të rrëzoheshin. Më pas, telepromteri nuk funksionoi në fillim të fjalimit të tij, dhe gjatë gjithë seancës pati ndërprerje audio, që sipas Trump, e bëri të pamundur dëgjimin e fjalimit pa kufjet e përkthimit.

Trump i cilësoi këto probleme si të qëllimshme, duke iu referuar edhe një raporti të gazetës britanike The Times, sipas të cilit disa punonjës të OKB-së kishin bërë shaka se do t’i fiknin shkallët dhe ashensorët gjatë vizitës së tij. “Kjo ishte absolutisht sabotim. Personat përgjegjës duhet të arrestohen!” tha ai.

Trump akuzon për sabotim të trefishtë, në Kombet e

Reagimi i OKB-së

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stéphane Dujarric, deklaroi se është urdhëruar një hetim i brendshëm dhe se OKB është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet amerikane. Sipas tij, ndalimi i shkallës lëvizëse u shkaktua nga një mekanizëm sigurie që mund të jetë aktivizuar aksidentalisht nga një videograf i delegacionit amerikan.

Ndërsa për telepromterin, palët kanë hedhur fajin te njëra-tjetra: OKB tha se ishte përgjegjësi e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa zyrtarët amerikanë fajësuan aparaturën e vendosur nga Kombet e Bashkuara.

Kërkesa e SHBA-së

Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, tha se misioni amerikan ka dorëzuar kërkesa zyrtare për hetim tek Sekretari i Përgjithshëm António Guterres, duke përfshirë ruajtjen e pamjeve të sigurisë dhe shpjegime për problemet teknike.

“SHBA nuk do të tolerojë kërcënime ndaj sigurisë apo dinjitetit tonë në forumet ndërkombëtare,” shkroi Waltz në platformën X, duke i quajtur incidentet “të papranueshme dhe simptomë e një institucioni të dështuar”.

Edhe Shtëpia e Bardhë e mbështeti këtë qëndrim, duke ngritur dyshime se incidentet mund të kenë qenë të qëllimshme. Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, shkroi: “Nëse dikush në OKB e ndali qëllimisht shkallën lëvizëse, duhet të pushohet dhe të hetohet menjëherë.”/L.F-dritare.net