
SHBA ndryshon rrjedhën e konfliktit, si do të reagojë Irani?!
Dritare.net
SHBA-ja ka bombarduar objektiva bërthamore iraniane, duke shënuar një kthesë të madhe në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një deklarate për shtyp nga zyra e tij, foli fillimisht në anglisht dhe jo në hebraisht, duke lavdëruar Presidentin amerikan Donald Trump për vendimin e tij për të ndërhyrë ushtarakisht. Netanyahu e quajti këtë vendim "të guximshëm" dhe "historik", pasi për vite me radhë ka argumentuar se vetëm një sulm ushtarak amerikan mund të ndalonte programin bërthamor të Iranit.
Prej më shumë se 15 vitesh, Netanyahu ka lobuar në SHBA për ndërhyrje kundër Iranit, duke e parë atë si kërcënimin kryesor për sigurinë e Izraelit. Edhe pse qeveria izraelite ka deklaruar se mund ta përballojë vetë kërcënimin iranian, ishte e qartë se vetëm SHBA kishte kapacitetet ushtarake për të shkatërruar objektivat më të mbrojtura, si uzina në Fordo, e ndërtuar thellë në mal.
Nëse këto objektiva tani janë jashtë përdorimit, Netanyahu mund të shpallë përmbushjen e qëllimit kryesor të luftës. Nga ana tjetër, Irani pretendon se materialet bërthamore ishin zhvendosur më herët.
Pa këtë sulm nga SHBA, Izraeli do të kishte vazhduar me listën e gjatë të objektivave të paracaktuara, duke goditur komandantë iranianë, shkencëtarë bërthamorë dhe infrastrukturë qeveritare. Megjithatë, pa një goditje të tillë vendimtare, do të kishte qenë e vështirë të deklarohej se kërcënimi bërthamor ishte neutralizuar.
Tani pyetja qëndron: Si do të përgjigjet Irani? Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, kishte paralajmëruar më parë se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të sillte "dëme të pariparueshme". Të shtunën, rebelët Houthi në Jemen, aleatë të ngushtë të Iranit kërcënuan se do të sulmonin anijet amerikane në Detin e Kuq nëse SHBA do të përfshihej drejtpërdrejt në luftë.
Tani, ushtarakët amerikanë, bizneset dhe qytetarët e tyre në rajon janë në rrezik. Irani ka në dorë shumë mënyra për t’u hakmarrë: mund të sulmojë anije amerikane, baza ushtarake në Gjirin Persik, apo të ndërpresë furnizimin me naftë nga rajoni, duke shkaktuar një krizë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, SHBA ka deklaruar se nuk ka synim të përmbysë regjimin në Teheran dhe për momentin nuk parashikon ndërhyrje të mëtejshme. Kjo mund ta shtyjë Iranin të zgjedhë një përgjigje të kufizuar, për shembull, përmes sulmeve ndaj objektivave amerikane që nuk shkaktojnë shumë viktima, ose përmes përdorimit të grupeve aleate në rajon.
Pas vrasjes së komandantit iranian Qasem Soleimani në vitin 2020 nga një urdhër i Trump, Irani u hakmor në mënyrë të kontrolluar, duke shmangur një përshkallëzim të drejtpërdrejtë. Por këtë herë situata është më e rrezikshme.
Të dielën në mëngjes, i gjithë Lindja e Mesme është në pritje: a ishte ky fundi i konfliktit, apo fillimi i një faze edhe më të përgjakshme të luftës?/K.C/dritare.net

















