Na ndiqni edhe në

Bota

Gjenerali gjerman trondit Evropën: Rusia mund të sulmojë NATO-n shumë shpejt

Gjenerali gjerman trondit Evropën: Rusia mund të sulmojë NATO-n

Aleanca Perëndimore NATO duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme, paralajmëroi shefi i ushtrisë gjermane, Gjeneral Carsten Breuer.

Në një intervistë për BBC, gjenerali gjerman tha se Rusia po prodhon qindra tanke çdo vit, shumë prej të cilave mund të përdoren për një sulm kundër shteteve baltike anëtare të NATO-s deri në vitin 2029 – apo ndoshta edhe më herët. Ai theksoi se NATO-ja mbetet e bashkuar përballë luftës në Ukrainë, pavarësisht deklaratave të ndryshme të kohëve të fundit nga Hungaria dhe Sllovakia. Deklaratat e tij u bënë gjatë samitit të mbrojtjes Shangri-La Dialogue në Singapor, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike.

Paralajmërimi i gjeneral Breuer vjen pak javë para një samiti të NATO-s në Hagë, ku pritet të diskutohen buxhetet e mbrojtjes dhe çështje të tjera të rëndësishme. Ai u shpreh se NATO po përballet me një “kërcënim shumë serioz” nga Rusia, të cilin nuk e kishte parë kurrë në 40 vitet e shërbimit të tij ushtarak.

Sipas tij, Rusia po ndërton forcat e saj ushtarake në mënyrë masive, duke prodhuar rreth 1,500 tanke luftarake në vit. “Jo çdo tank po shkon në Ukrainë, por po vendoset në rezerva dhe struktura të reja ushtarake të drejtuara nga Perëndimi,” tha ai.

Gjenerali shtoi se vetëm në vitin 2024, Rusia ka prodhuar katër milionë predha artilerie 152mm dhe jo të gjitha janë dërguar në frontin ukrainas. Ai paralajmëroi se ky është një tregues i qëllimit dhe përgatitjeve të Rusisë për një sulm të mundshëm ndaj shteteve baltike të NATO-s.

“Kjo është ajo që po vlerësojnë analistët, viti 2029. Prandaj, ne duhet të jemi të përgatitur deri në atë vit… Dhe nëse më pyesni nëse ka ndonjë garanci që nuk ndodh më herët? Unë do të thosha jo. Duhet të jemi gati të luftojmë që sonte,” u shpreh ai.

Frika për një sulm ndaj ndonjë shteti anëtar të NATO-s ka ekzistuar prej kohësh, pasi një akt i tillë do të aktivizonte Nenin 5 të traktatit të NATO-s, i cili parashikon se çdo sulm ndaj një shteti anëtar është sulm ndaj të gjithë aleatëve.Gjenerali Breuer veçoi si pikë kritike të mundshme korridorin e Suwalki-t, një zonë kufitare mes Lituanisë, Polonisë, Rusisë dhe Bjellorusisë, duke e cilësuar atë si veçanërisht të ndjeshme.

“Shtetet baltike janë realisht të ekspozuara ndaj rusëve. Dhe kur je atje, e ndjen shumë mirë këtë gjë… në bisedat që zhvillojmë atje,” tha ai. Ai solli si shembull analogjinë e përdorur nga estonezët, të cilët e krahasojnë kërcënimin rus me një zjarr të madh: “ndjejnë nxehtësinë, shohin flakët dhe nuhasin tym”, ndërsa në Gjermani “mund të shohësh vetëm pak tym në horizont”.

Ai theksoi se ky është një reflektim i perceptimeve të ndryshme që ekzistojnë brenda Europës për rrezikun që paraqet Rusia.

Sipas tij, Rusia e sheh luftën në Ukrainë si pjesë të një konflikti më të madh me NATO-n. “Ata po përpiqen të gjejnë mënyra për të testuar linjat tona të mbrojtjes.” Ai përmendi si shembuj sulmet ndaj kabllove nëndetare në Detin Baltik, sulmet kibernetike ndaj transportit publik europian, dhe dronët e paidentifikuar mbi termocentralet dhe infrastrukturën energjetike në Gjermani. Për këtë arsye, gjenerali gjerman kërkoi një rimëkëmbje të kapaciteteve ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s: “Duhet të veprojmë. Duhet t’u themi të gjithëve: rrisni kapacitetet… jepni më shumë, sepse kemi nevojë për të ndërtuar mbrojtjen dhe të forcojmë efektin parandalues.”

Në lidhje me unitetin e NATO-s, përballë pozicioneve më të buta të Hungarisë dhe Sllovakisë ndaj Moskës, ai këmbënguli se aleanca është e fortë. Ai përmendi vendimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n menjëherë pas nisjes së luftës në Ukrainë. “Nuk kam parë kurrë një unitet si ky – mes shteteve dhe liderëve ushtarakë,” tha ai.“Të gjithë e kuptojnë kërcënimin që po i afrohet NATO-s. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se duhet të ecim në drejtimin e mbrojtjes kolektive. Urgjenca është reale.”

Deklaratat e gjeneral Breuer pasqyrojnë një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Gjermanisë ndaj çështjeve të mbrojtjes dhe marrëdhënieve me Rusinë. Si shumë vende perëndimore, edhe Gjermania kishte reduktuar investimet në ushtri gjatë viteve të fundit, por ka gjithnjë e më shumë një ndërgjegjësim se kjo duhet ndryshuar. Madje, edhe Partia e Gjelbër votoi kohët e fundit për të hequr kufizimet ndaj buxhetit të mbrojtjes.

Megjithatë, ndërsa udhëheqësit perëndimorë shprehen të gatshëm për përballje, mbeten pyetje nëse këto ambicie janë realisht të realizueshme. Evropës do t’i duhen vite për të ngritur industrinë ushtarake në nivelin e prodhimit të Rusisë. Ndërkohë, SHBA-ja po ul angazhimet e saj ushtarake në Evropë për t’u përqendruar në rajonin Indo-Paqësor./K.C/dritare.net