Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Programi i qeverisë: Hiqet kufizimi i moshës për check up, ekzaminim edhe për mbi 70 vjeçarët

Programi i qeverisë: Hiqet kufizimi i moshës për check up,

Kufizimi i moshës për pensionistët që kryejnë kontrollin mjekësor bazë falas do të hiqet. Në programin e qeverisë së re, në pjesën për shëndetësinë, është planifikuar që të gjithë të moshuarit ta përfitojnë falas atë që njihet si check up.

Aktualisht, kontrolli mjekësor bazë mund të kryhet vetëm nga personat e moshës nga 35 në 70 vjeç, duke përjashtuar të moshuarit mbi këtë moshë, të cilët kanë më shumë se dy diagnoza.

Në Shqipëri numërohen afro 252 mijë të moshuar mbi 70 vjeç, të cilët janë të detyruar që kontrollin bazë mjekësor ta kryejnë në privat, pasi shteti nuk e mbulon këtë grupmoshë.

Heqja e kufizimit të moshës për check up ka qenë një sugjerim i vazhdueshëm edhe i ekspertëve të shëndetësisë. Sipas tyre, kjo është e rëndësishme, pasi kjo kategori ka probleme të shumta shëndetësore.

Një nga problematikat që mund të kapet herët është fakti se 1 në 8 veta të moshës 70+ janë me demencë, dhe rreth 50% e tyre nuk e kanë zbuluar në kohë sëmundjen.


Bluzat e bardha shprehen se rritja e moshës për përfituesit e kontrollit mjekësor bazë do të ishte një nga mënyrat efikase për të ndihmuar moshën e tretë, ashtu siç veprohet edhe në vendet e Europës. Madje, të moshuarit i përfitojnë falas të gjitha kontrollet mjekësore.

Përveç kësaj, të moshuarit e grupmoshës 71-83 vjeç përbëjnë edhe numrin më të lartë të personave që janë përjashtuar nga kontrolli mjekësor bazë. Nëse kryhet në privat, kontrolli i check up-it kap shifrën e afro 6 mijë lekëve të reja, një shifër e ndjeshme për xhepat e pensionistëve.