
4 simptoma të fshehta që tregojnë se duhet të shkoni te kardiologu!
Dritare.net
Shpesh, zemra paralajmëron për probleme përpara se të ndodhë diçka serioze dhe jo gjithmonë me shenjat që presim. Sipas kardiologut Dr. Oliver Guttman, nga spitali Wellington në Londër, vëmendja ndaj disa simptomave më të “fshehta” mund të shpëtojë jetë.
1. Dhimbje në kraharor
Dhimbja e zemrës nuk është gjithmonë ajo skena dramatike që shohim në filma. Shpesh ndihet si një presion i lehtë, shtrëngim, djegie apo si urth. Dhimbja mund të përhapet në krah, sidomos të majtin, në shpatulla, qafë, nofull ose shpinë. Këto shenja mund të tregojnë për anginë, pra qarkullim të kufizuar të gjakut në zemër, një gjendje që rrit rrezikun për infarkt nëse nuk trajtohet.
2. Vështirësi në frymëmarrje
Është normale të merrni frymë shpejt pas një aktiviteti të fortë, por nëse ndodh gjatë aktiviteteve të zakonshme, si ecja ose ngjitja e shkallëve, kjo mund të tregojë se zemra nuk po e pompon siç duhet gjakun. Shenjat paralajmëruese janë:
-pamundësia për të marrë frymë thellë edhe në pushim,
-zgjime të papritura natën me mungesë fryme,
-nevoja për më shumë jastëkë për të fjetur rehat.
Kjo gjendje shpesh lidhet me insuficiencë kardiake, që shkakton mbajtje të lëngjeve në mushkëri.
3. Lodhje dhe dobësi të vazhdueshme
Një lodhje e pashpjegueshme, që nuk largohet as pas pushimit, është një tjetër shenjë alarmi. Edhe detyra të vogla, si të bësh pak pazar apo të lidhësh këpucët, mund t'ju duken rraskapitëse. Kjo ndodh sepse zemra nuk dërgon mjaftueshëm gjak të pasur me oksigjen në muskuj dhe organe. Te gratë, lodhja e pazakontë shpesh është një nga simptomat e para, edhe pa dhimbje në gjoks.
4. Rrahje të çrregullta ose të forta
Zemra nuk rreh gjithmonë në ritëm perfekt, por rrahjet shumë të shpeshta, të forta ose të parregullta nuk duhen injoruar. Mund të ndeni “fëshfërima”, rrahje të forta edhe në qetësi. Këto mund të jenë shenja të aritmisë (p.sh. fibrilacion atrial), që rrit rrezikun e goditjes në tru dhe insuficiencës kardiake. Një elektrokardiogramë është thelbësore për diagnozë.
Të dhëna shqetësuese
-18% rritje e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës në Britani (2019–2023)
-Nga 18,693 vdekje në 2019 në 21,975 në 2023
-21% rritje e diagnozave të insuficiencës kardiake që nga 2020
-785,000 britanikë me insuficiencë kardiake në vitin 2024 (rekord historik)./K.C/dritare.net

















