
Trump: Nuk e dua Luftën e Tretë Botërore, por ...
Dritare.net
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se “mbi 700 mijë trupa ruse janë të vendosura në frontin e Ukrainës”, duke theksuar se Moska mbetet e gatshme për kompromis vetëm nëse garantohen interesat e saj. Paralelisht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë një vizitë të papritur në rajonin e Donetskut, ku ka takuar trupat ukrainase dhe ka nënvizuar nisjen e një “operacioni kundërofensiv”.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump, pas takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer, deklaroi se është i zhgënjyer nga veprimet e Putinit, por se dëshiron të shmangë një Luftë të Tretë Botërore. Ai theksoi se “Putin ka treguar fytyrën e tij të vërtetë duke organizuar sulmin më të madh që prej fillimit të pushtimit”. Trump mbrojti ftesën për bisedime në Alaska, duke thënë se nuk ishte një gabim, por nënvizoi nevojën për të rritur presionin mbi Kremlinin.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian pritet të miratojë paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa presidenca daneze ka thirrur një mbledhje urgjente të ambasadorëve të vendeve anëtare, me agresionin rus si temë të vetme.
Në terren, mbrojtja ajrore ukrainase ka zmbrapsur një tjetër sulm me dronë mbi Kievin. Autoritetet raportojnë se “forcat e mbrojtjes po neutralizojnë kërcënimet në qiellin e kryeqytetit”. Ndërkohë, në rajonin e Donetskut, pesë civilë u vranë gjatë një bombardimi rus.
Në planin rajonal, Ukraina dhe Polonia do të krijojnë një grup të përbashkët operativ për përdorimin dhe neutralizimin e dronëve. Ministri i Mbrojtjes polak Wladyslaw Kosiniak-Kamysz dhe homologu ukrainas Denys Shmyhal konfirmuan se bashkëpunimi do të shfrytëzojë përvojën e grumbulluar nga Kievi gjatë mbi tre viteve e gjysmë lufte./L.F-dritare.net

















