
Një muze i Artit dhe Trashëgimisë Islame, në Sarajet e Toptanëve
Dritare.net
Në ambientet historike të Sarajeve të Toptanëve në Tiranë u zhvillua një konferencë ndërkombëtare, ku u prezantua projekti për ndërtimin e Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame. Ky institucion i ri kulturor do të ngrihet pikërisht në këtë hapësirë, e cila do të pësojë transformime të kujdesshme në funksion të projektit.
I pranishëm në aktivitet ishte edhelKryeministri Edi Rama, i cili sapo ishte kthyer nga Brukseli. Në fjalën e tij, Rama e cilësoi muzeun si një “vlerë të shtuar për kryeqytetin” dhe theksoi rëndësinë e tij në pasqyrimin e një pjese të trashëgimisë shqiptare që shpesh është lënë në hije.
“Ky muze është i nevojshëm për të dëshmuar se kultura dhe arti islam janë pjesë e pandashme e identitetit tonë dhe e historisë evropiane. Ai i shtohet një zinxhiri institucionesh të reja kulturore si Teatri i ri Kombëtar, Galeria Kombëtare dhe Muzeu ‘Besa’. Ky do të jetë një stacion i rëndësishëm i historisë sonë si komb,” tha Rama, duke shtuar se shpreson që projekti të përfundojë brenda vitit 2030.
Projekti u prezantua nga arkitekti spanjoll Jesús Hernández, i cili theksoi se godina e Sarajeve do të ruajë karakterin e saj historik dhe ndërhyrjet do të jenë minimale. Muzeu i ardhshëm do të ekspozojë një koleksion të pasur objektesh dhe librash me vlera të rralla, duke u konceptuar si një hapësirë për ruajtjen e trashëgimisë, por edhe për nxitjen e dialogut ndërfetar./K.C/dritare.net

















