Qindra të arrestuar në Francë, pas festimeve të fitores së Paris Saint-Germain
Dritare.net

Më shumë se 400 persona janë arrestuar në mbarë Francën pas festimeve që pasuan fitoren e klubit francez Paris Saint-Germain (PSG) në finalen e Ligës së Kampionëve.
Përplasjet mes tifozëve dhe policisë shpërthyen në disa qytete, veçanërisht në Paris, ku mijëra forca sigurie ishin vendosur për të parandaluar trazirat. Sipas autoriteteve, festimet shkaktuan ndërprerje në shërbimet e autobusëve, trenave dhe metrosë.
Në qendër të Parisit, tifozët hodhën fishekzjarre dhe ndezën flakadanë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Pamjet nga vendngjarja tregojnë motoçikleta elektrike të djegura dhe dëmtime në disa biznese.

Sipas Ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deri në orët e para të së dielës ishin arrestuar 416 persona, prej të cilëve 280 vetëm në Paris. Ai bëri të ditur se shtatë policë mbetën të plagosur dhe e cilësoi dhunën si “plotësisht të papranueshme”.
Autoritetet raportuan gjithashtu dëmtimin e gjashtë automjeteve, dy bizneseve dhe një stacioni autobusi.
Ndërkohë, liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, reagoi në rrjetet sociale duke kritikuar situatën, duke deklaruar se “vetëm në Francë një fitore futbolli shndërrohet në trazira”.
Pavarësisht incidenteve, lojtarët e PSG-së pritet të marrin pjesë në një paradë festive pranë Eiffel Tower dhe të priten nga Presidenti francez Emmanuel Macron./K.C/dritare.net