Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

“Një ditë tjetër”, një Mira tjetër. Dhimbja që lindi një shkrimtare!

“Një ditë tjetër”, një Mira tjetër. Dhimbja

Nga Anila Jole

Një mëngjes shtatori duke pirë kafen e mëngjesit, si çdo ditë para se të nisem në punë mora në dorë celularin për të mësuar të rejat e fundit. E para, që algoritmi më nxori para syve, ishte një video e mikes dhe koleges sime të vjetër, gazetares Mira Kazhani. (Fotoja e vitit 2009)

Kam patur gjithmonë kënaqësi të bisedoja me të, ta dëgjoja gjatë teksa fliste me fjalë dhe shprehje të përzgjedhura, atëherë kur kalonim shumë kohë bashkë dhe tani në intervistat që zhvillon me personazhe të ndryshme, ndaj patjetër u ndala ta dëgjoja anoncimin e podcastit të saj “jashtë radhe”.

Në 2 minuta Mira dha aq shumë informacion dhe aq të fortë, saqë më shokoi, por e vërteta është se në fund nuk më la një shije të hidhur, siç mendohet se do duhej të ndodhte në një rast të tillë. Mësova në ato minuta se muajt e fundit Mira ishte diagnostikuar me kancer në gji, kishte luftuar shumë, e kishte mposhtur sëmundjen e keqe dhe kishte shkruar një libër.

Nuk e përshkruaj dot ndjesinë që përjetova kur mësova për kancerin e saj, (unë hyj te ata njerëzit që e kam shumë frikë këtë sëmundje), por sa më ngushëlloi e më “fshiu lotët” lajmi i dytë se Mira e kishte hedhur gjithçka në një libër!

Gjithmonë kam menduar se do vinte një ditë, kur Mira të “rritej”, të piqej, të sofistikohej e të mbushej me përvojë jetësore, që të shkruante një libër. E kishte talentin dhe e përdorte fjalën me shumë mjeshtëri. Dhe koha erdhi, por fabula ishte e papritur. “Kanceri është sëmundje hyjnore”, jam plotësisht dakord me këtë përcaktim të doktorit të Mirës dhe në këtë këndvështrim ai (kanceri) ka “meritën” e vet për të nxjerrë një Mira shkrimtare.

Atë ditë që mora lajmin, shkova në librari dhe bleva librin “Një ditë tjetër”, nga i cili nuk kishte shumë kopje. “Është libri më i shitur i këtyre ditëve”, më tha librashitësja. Në mbrëmje u ula dhe e lexova me një frymë.

Nuk dua ta krahasoj stilin e saj me asnjë nga shkrimtarët të cilët më kanë zhytur menjëherë në faqet e librave të tyre, por e them me siguri se ky është një nga ato libra që nuk lexohen vetëm me sy e mendje, por me zemër, me lëkurë, me frymëmarrje. Një libër që nuk kërkon të të tregojë vuajtjen dhe dhimbjen, apo të të moralizojë si të qëndrosh e fortë, por thjesht të fton të jesh aty, përballë së vërtetës, pa mëshirë dhe pa patetizëm; aty ku njeriu përballet me frikën më të madhe dhe, çuditërisht, gjen një dritë të brendshme që nuk e dinte se e kishte.

“Një ditë tjetër” nuk është thjesht rrëfimi i një sëmundjeje. Është rrëfimi i një zgjimi. Një udhëtim drejt vetes, që kalon nëpër dhimbje, pafuqi, ndërgjegjësim dhe në fund, pa shumë bujë, në një lloj paqeje të heshtur. Mira nuk e dramatizon përvojën e saj, por as nuk e zbut. Ajo e tregon me një ndershmëri të zhveshur nga çdo lloj pretendimi. Dhe kjo e bën këtë libër të fortë, të vërtetë dhe të bukur në një mënyrë që të prek.

Stili i saj është i ngjeshur, pa fjalë të tepërta, por i mbushur me mendim dhe emocion. Ka një ritëm që ndjek frymëmarrjen e brendshme të një njeriu që është detyruar të ndalet për të parë jetën në sy, ashtu siç është, e bukur, por në të shumtën e saj, e ashpër dhe e vështirë. Dhe ajo që lexuesi ndjen, është se kjo histori nuk është vetëm e Mirës. Është një histori që i flet çdokujt që ka dashur, që është trembur, është rrëzuar, që është ndjerë vetëm, apo që ka kërkuar përgjigje e kuptim në një kohë të errët.

Më pëlqeu shumë (nuk u befasova) mënyra si Mira përdor fjalën. Si e vë në shërbim të përjetimit të sinqertë, jo të efektit. Si arrin të ndërtojë imazhe të thjeshta por të fuqishme, që të mbeten gjatë në mendje. Një fjali e saj në dukje e zakonshme mund të të zërë në grackë dhe të të çojë thellë në mendime.

E kam njohur Mirën si gazetare, si biseduese brilante, si mikeshë me humor të hollë e intuitë të mprehtë. Por në këtë libër ajo shfaqet më shumë se kaq; një zë i qartë, i pjekur dhe i ndriçuar nga përvoja, që flet me të gjithë ata që kanë nevojë për kurajë, për mirëkuptim, për të parë se edhe përmes plagëve trupore e shpirtërore mund të lindë diçka e bukur.

“Një ditë tjetër” nuk është vetëm një rrëfim intim përballë një sëmundjeje, por një vepër e vërtetë letrare që ngrihet më shumë se sa një dëshmi personale. Në çdo faqe ndihen ritmi, struktura dhe kujdesi i një autoreje që di të ndërtojë tekstin, jo vetëm të rrëfejë. Mënyra si Mira e shtrin rrëfimin, si e përzgjedh fjalën, si e krijon atmosferën dhe mbush me dritë edhe kapitujt më të errët, e vendos këtë libër përkrah atyre veprave që nuk lexohen jo vetëm për përmbajtjen, por për stilin, zërin dhe finesën me të cilën janë shkruar. Është një reflektim për jetën, por dhe një dëshmi se letërsia lind pikërisht aty ku njeriu arrin ta shndërrojë dhimbjen në kuptim.

Ky libër nuk të bën të qash, të paktën jo në mënyrën klasike. Të bën të reflektosh, të kujtosh, të vlerësosh… Dhe, mbi të gjitha, të fal një ndjesi të çuditshme mirësie, force e qetësie. Të atij zëri që thotë: “Nuk je vetëm. Edhe kjo do të kalojë. Dhe, PO! Do të ketë NJË DITË TJETËR.” /dritare.net