Na ndiqni edhe në

Bota

Nëse je punëtor i kualifikuar dhe do të shkosh në SHBA, duhet të paguash 100 mijë dollarë

Nëse je punëtor i kualifikuar dhe do të shkosh në SHBA,

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur një urdhër ekzekutiv që sjell ndryshime të mëdha në programin e vizave H-1B për punëtorët e huaj të kualifikuar. Duke nisur nga 21 shtatori 2025, çdo aplikim i ri për H-1B do të ketë një tarifë shtesë prej 100 mijë dollarësh në vit, e cila do të paguhet nga kompanitë që sponsorizojnë punonjësit e huaj. Pagesa do të vlejë për çdo vit, deri në gjashtë vite, sa zgjat zakonisht periudha e vizës.

Administrata Trump e justifikon këtë tarifë si mënyrë për të parandaluar “abuzimet” me programin dhe për të mbrojtur punëtorët amerikanë, duke shtuar se kompanitë duhet të peshojnë nëse një i huaj vlen mjaftueshëm për të mbuluar këtë kosto. Kritikët, nga ana tjetër, paralajmërojnë se masa do të godasë rëndë start-up-et, bizneset e mesme dhe sektorin e teknologjisë, i cili tradicionalisht varet nga talenti ndërkombëtar.

Pothuajse paralelisht, Trump ka shpallur edhe një program të ri, të quajtur “Gold Card”, që do të ofrojë një rrugë të përshpejtuar për marrjen e vizës së rezidencës së përhershme (green card) për të huajt që bëjnë dhurime të mëdha. Sipas planit, individët që japin të paktën 1 milion dollarë ose kompanitë që sponsorizojnë një dhurim prej 2 milionë dollarësh do të përfitojnë nga kjo skemë.

Ndërsa qeveria amerikane pretendon se masat e reja do të mbrojnë tregun e punës vendas, organizata dhe kompani ndërkombëtare paralajmërojnë se ato mund të dëmtojnë seriozisht konkurrueshmërinë e SHBA-së dhe të largojnë profesionistët e talentuar nga tregu amerikan./L.F-dritare.net