
Shkarkohet zv/ministri i Brendshëm. Po pinte cigare në ambient të mbyllur
Dritare.net
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka marrë një vendim të fortë që në ditët e para të detyrës së saj të re. Pak ditë pas betimit në Presidencë, Koçiu i ka propozuar qeverisë shkarkimin e zëvendësministrit Andi Mahila, një emër i njohur që mbante këtë post prej janarit 2021.
Shkaku i masës së menjëhershme ka qenë një denoncim qytetar, i cili ka raportuar se Mahila ishte fotografuar duke konsumuar cigare brenda një ambienti të mbyllur, në kundërshtim me ligjin që ndalon pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura publike. Pas verifikimit të rastit, ministrja Koçiu propozoi lirimin e tij nga detyra, vendim që më pas u miratua nga qeveria.
Në një veprim që tregon transparencë dhe vendosmëri, ministrja ka njoftuar personalisht qytetarin që kishte bërë denoncimin, duke e informuar për përfundimin e procesit.
Ky është vendimi i parë i madh i Alban Koçiut si ministre e Brendshme, duke dhënë sinjalin se ligji do të zbatohet pa kompromis, pavarësisht funksionit apo pozitës së personave të përfshirë./K.C/dritare.net

















