Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bordi i Paqes/ Ministri Nufi: Do dërgojmë 4 oficerë shtabi në Gaza

Shqipëria do të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar në Gaza, fillimisht me katër oficerë shtabi. Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe është bërë publik nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Sipas ministrit, pas mbërritjes së oficerëve në Gaza do të kryhet një vlerësim i situatës, për të përcaktuar nivelin e mëtejshëm të angazhimit dhe numrin e ushtarakëve shqiptarë që mund t’i bashkohen misionit.

Në mbledhjen e sotme është miratuar gjithashtu një pagesë shtesë për efektivët e Forcave të Armatosura që janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në vend.

Nufi deklaroi se situata e zjarreve është menaxhuar me sukses, duke theksuar se deri tani janë shuar mbi 27 vatra dhe në operacione janë angazhuar më shumë se 1 mijë e 830 forca.

Ministri komentoi edhe vendimin e Partisë Demokratike për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake. Nufi e cilësoi këtë veprim të papranueshëm, duke argumentuar se çështjet e sigurisë kombëtare nuk duhet të shndërrohen në debat politik.

Sipas tij, marrëveshja nuk është në shkelje të Kushtetutës dhe marrëdhëniet me SHBA-në tregojnë se Shqipëria mbetet një aleat i besueshëm.