Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bie akuza për krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Hagë – Në vijim të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka konstatuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një sulmi të përhapur ndaj popullatës civile, si një nga elementet e akuzave për krime kundër njerëzimit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ishin të mjaftueshme për të vërtetuar se ishte kryer një sulm i tillë ndaj popullatës civile.

Gjykata gjithashtu tha se nuk ishte bindur se personat e shënjestruar në rastet e shqyrtuara mund të cilësoheshin si “popullatë civile”, një element kyç në vlerësimin e akuzave për krime kundër njerëzimit.

Pas përmbledhjes së procesit gjyqësor, kontekstit historik dhe roleve të katër të akuzuarve, trupi gjykues ka nisur paraqitjen e konstatimeve dhe vlerësimeve të tij mbi provat dhe pretendimet e paraqitura gjatë gjykimit.

Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë vijon, ndërsa trupi gjykues po lexon përfundimet e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së./L.F-dritare.net