Na ndiqni edhe në

Shqip

Si ta kuptoni që fëmija ka nisur drogën? Këto janë shenjat e para! Flet Gjin Lleshi!

Si mund ta kuptojë një prind se fëmija i tij ka nisur të përdorë drogë? Ndryshimi i sjelljes, gënjeshtrat, paratë që fillojnë të zhduken nga shtëpia, rënia në mësime dhe izolimi janë disa nga shenjat e para që duhet të ngrenë alarmin. Për to foli Gjin Lleshi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen dhe Trajtimin e të Droguarve, në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV.

Sipas Lleshit, kontakti i parë me drogën mund të nisë mes shoqërisë, shpesh me hashash, ndërsa familja mund të mos kuptojë menjëherë çfarë po ndodh. Ndryshimet, sipas tij, shfaqen gradualisht dhe një nga sinjalet e para është se djali apo vajza nuk sillet më si më parë.

“Fillon të gënjejë. Është i pasinqertë. Për çdo gjë. Nuk është ai që ishte”, thotë Lleshi. Një tjetër sinjal që duhet të tërheqë vëmendjen e prindërve është zhdukja e parave nga shtëpia. “Mund të shikosh edhe ndonjë lek që ta ka vjedhur”, shprehet ai.

Ndryshimet mund të vihen re edhe në shkollë dhe në marrëdhëniet me njerëzit përreth. Sipas Lleshit, fëmija mund të nisë të ketë rezultate më të dobëta në mësime, të ndryshojë mënyrën e komunikimit dhe të izolohet.

“Do ta shikosh që në mësime po bie. Do ta shikosh që nuk ka marrëdhëniet korrekte që ka pasur deri dje. Do të shikosh që bëhet individualist, po fsheh diçka”, thotë ai, duke i cilësuar këto si shenja të para që familja nuk duhet t’i neglizhojë.

Në momentin që prindi vëren një ndryshim të fortë te fëmija, Lleshi këshillon që të mos pritet që problemi të kalojë vetë, por të kërkohet ndihmë profesionale. Ai rekomandon konsultimin me psikologun dhe veçanërisht me psikiatrin, duke theksuar se në Shqipëri vazhdon të ekzistojë një paragjykim i panevojshëm ndaj vizitës te ky specialist.

Sipas tij, ndryshimi i sjelljes nuk do të thotë automatikisht se fëmija përdor drogë, pasi mund të lidhet edhe me një problem të shëndetit mendor. Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi nga një profesionist është i rëndësishëm për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe për të ndërhyrë sa më herët.

Gjatë intervistës, Lleshi ngriti alarmin edhe për mungesën e strukturave të mjaftueshme për rehabilitimin e personave me varësi në Shqipëri. Sipas tij, familjet nuk mund të lihen të vetme përballë një problemi të tillë, ndërsa personi që ka krijuar varësi duhet trajtuar si i sëmurë dhe të marrë mbrojtjen e nevojshme nga institucionet./dritare.net