Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arrestohet për korrupsion administratori i inceneratorit të Elbasanit!

Arrestohet për korrupsion administratori i inceneratorit të Elbasanit!

Administratori i inceneratorit të Elbasanit, “Eco-Elb”, Leli Kaja, është arrestuar në flagrancë gjatë një operacioni të SPAK dhe BKH-së, nën dyshimet për korrupsion pasiv. Sipas SPAK, Kaja dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 400 mijë lekë nga administratori i një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji. Shuma e parave iu gjet dhe sekuestrua gjatë kontrollit personal. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i SPAK:

SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.

Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.", thuhet ne njoftim./K.C/dritare.net