Arrestohet Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë
Dritare.net
Pas tri ditësh në arrati, Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, i dyshuar për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj, në fshatin Vitomiricë të Pejës. Ai u lokalizua gjatë një operacioni policor në zonën malore të Becit.
Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, i cili dyshohet se vrau me sëpatë Arlinda Zekajn më 25 tetor, në fshatin Vitomiricë të Pejës. I dyshuari ishte shpallur në kërkim pas ngjarjes së rëndë dhe qëndroi në arrati për tri ditë.
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, Sylaj u lokalizua pas një operacioni policor në zonën malore të Becit, në komunën e Gjakovës, ku për kapjen e tij u angazhuan disa njësi të Policisë së Kosovës, përfshirë njësinë speciale FIT.
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra vetëm pak minuta pasi ishte kthyer nga komisariati i Policisë, ku kishte kërkuar mbrojtje. Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i krimit, duke nisur arratinë që zgjati disa ditë.
Gjatë kësaj periudhe, sipas raportimeve, Sylaj kishte komunikuar me policinë përmes mesazheve, duke deklaruar se nuk do të dorëzohej i gjallë. Më vonë, pasi u lokalizua në zonën malore, ai raportohet se kishte shprehur gatishmëri për t’u vetëdorëzuar, por kishte kërkuar fillimisht të fliste me familjarët.
“Vetëm 10 minuta të flas me familjen”, raportohet të ketë thënë ai gjatë komunikimit me vëllain e tij.
Raportimet bëjnë të ditur gjithashtu se, para se të përfundonte në zonën malore të Becit, Sylaj kishte shkuar në Gjakovë për të marrë makinën e motrës së tij, me qëllim që të vazhdonte arratinë. Megjithatë, pas kundërshtimit të motrës dhe bashkëshortit të saj, ai ishte larguar drejt zonës malore.
Arrestimi u konfirmua nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se i dyshuari u kap rreth orës 23:40 në Deçan./L.F-dritare.net