
Një alarm për bombë ka vënë në lëvizje autoritetet këtë mëngjes në Tiranë, pasi në adresat elektronike të disa institucioneve është dërguar një mesazh kërcënues, ku pretendohej se në ambientet e SPAK dhe GJKKO ishte vendosur një bombë.
Pas marrjes së njoftimit, autoritetet kanë marrë masa të menjëhershme sigurie dhe kanë nisur kontrollet në ambientet e institucioneve të përfshira.
Sipas Policisë së Shtetit, deri në këto momente nuk është konstatuar asnjë bombë apo lëndë tjetër shpërthyese. Megjithatë, kontrollet vijojnë për të garantuar sigurinë.
Në operacion është angazhuar edhe Garda e Republikës, e cila po kryen verifikime në ambientet e institucioneve me qen të specializuar.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për identifikimin e personit që ka dërguar e-mailin kërcënues dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./K.C/dritare.net
