Rrëzohet helikopteri ushtarak italian në Bosnjë-Hercegovinë. 4 të vdekur dhe 12 të plagosur
Dritare.net
Një helikopter ushtarak italian është rrëzuar pasditen e së enjtes në Bosnjë-Hercegovinë, në rajonin e Brçkos, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, nga aksidenti kanë humbur jetën të paktën katër persona, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur.
Helikopteri i tipit CH-47 Chinook ishte pjesë e misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian, EUFOR Althea, dhe po kryente një operacion rutinë në zonën e Gorices, në veri të vendit. Shkaqet e rrëzimit ende nuk janë bërë të ditura.
Forcat e shpëtimit ndërhynë menjëherë pas aksidentit, ndërsa të plagosurit morën ndihmë mjekësore. Misioni EUFOR ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë të ditur se ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e saj.
Ministria italiane e Mbrojtjes konfirmoi se helikopteri ishte përfshirë në aksident gjatë operacionit EUFOR Althea, por theksoi se priten informacione më të sakta, veçanërisht për gjendjen shëndetësore të personelit.
Sipas EUFOR, nga aksidenti nuk ka pasur të lënduar në radhët e civilëve dhe nuk janë raportuar dëme në infrastrukturën apo pronën civile./K.C/dritare.net