Cristiano Ronaldo fiton çmimin e parë BOAT, lë pas Messin
Dritare.net

Cristiano Ronaldo ka fituar edicionin e parë të çmimit BOAT (Ballon d’Or of All Time), pas një votimi të hapur për tifozët, duke lënë pas rivalin e tij të përhershëm, Lionel Messi. Në krye u rendit sezoni i vitit 2008 i portugezit, kur ai luante me Manchester United dhe fitoi për herë të parë Topin e Artë.
Votimi u organizua nga revista franceze France Football, në bashkëpunim me UEFA-n, për të përzgjedhur sezonin më të mirë në historinë e Topit të Artë. Tifozët mund të votonin mes dhjetë futbollistëve që e kanë fituar këtë trofe të paktën dy herë. Çdo votë kushtonte një euro dhe pjesëmarrësit përfshiheshin në një short për të fituar bileta për ceremoninë e vitit 2027.
Në vendin e dytë u rendit sezoni i vitit 2012 i Lionel Messit, ndërsa Ronaldo zuri edhe vendin e tretë me sezonin e vitit 2017. Kështu, dy yjet e futbollit dominuan renditjen përfundimtare.
Ronaldo e fitoi Topin e Artë të vitit 2008 pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Manchester United, ku shënoi 42 gola në të gjitha kompeticionet dhe ndihmoi skuadrën të fitonte Premier League dhe Champions League.
Duhet theksuar se BOAT nuk është një trofe i ri zyrtar i Topit të Artë dhe as “Super Topi i Artë”. Bëhet fjalë për një votim simbolik të tifozëve, që synon të përzgjedhë sezonin më të mirë mes fituesve historikë të çmimit./dritare.net