
Ajo botë e përtejme po mbledh më të mirët, ditë pas dite!
Dritare.net

Artistë e profesionistë të zotë, elita e këtij vendi, po largohen dita pas dite prej nesh, jashtë vullnetit e pa dëshirë përveçse.
Kjo shoqëri po i zbon artistët e profesionistët e vërtetë, në dhjetëra mënyra, për më shumë se dy dekada tashmë.
Artistë e profesionistë përkthehet në dëshpërim e halle shumë tashmë, apo mbijetese titanike.
Në krye të vendit a konakut të tjerë "vipa" kanë zëvendësuar këtë racë të zgjedhur njerëzish, ndërsa ushqim për mendjen e shpirtin nuk është më një shfaqje e bukur, një libër a dialog me vlerë, por një dorë para a një biznes i sigurt.
Në këto kohë të pakohë, panairi i kotësive po konkurron turpshëm panairin e vlerave.
E si për ironi të fatit, pas largimit nga jeta te çdonjërit prej tyre, harruar krejt për se gjalli, se kush rreket të përcjellë paskësaj memorien më të bukur.
Nekrologjitë pas vdekjes nuk kanë asnjë vlere!
Një plejade e tërë artistesh e profesionistesh, jetuan në kushte të vështira e diskriminuese për vite radhazi, me një pension qesharak e pa asnjë vëmendje të posaçme nga shteti, fyes për mundin e kontributin e gjatë të tyre.
E pikërisht kjo harrese e neglizhence e paprecedente, bëri që shumë prej korifenjve të skenës apo artit shqiptar, të largohen të dëshpëruar e me një sëmbim në zemër përtej kësaj bote të gjallësh.
Shqiptarët harrojnë shpejt, është vend pa kujtesë ky yni, ndërsa historia do të na gjykojë një ditë të gjithëve bashkë dhe për këtë harresë posaçërisht!
Të gjithë ata që kishin detyrim institucional e moral t'i nderonin këta kolosë por neglizhuan këtë detyrë prioritare e njerëzore, i mëshiroj fort e jo veç unë me siguri!/dritare.net

















