Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zgjedhjet në Maqedoni në pikëpyetje

Zgjedhjet në Maqedoni në pikëpyetje
Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në 5 qershor në Maqedoni duket e pamundur. Ndërsa në mesnatë skadon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet, Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar se deri tani asnjë parti nuk i ka dorëzuar listat. LSDM e Zoran Zaev ka paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve, ndërsa te njëjtën gjë pritet ta bëjnë edhe dy partitë kryesore shqiptare, BDI dhe PDSH. Vetëm VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Gruevski këmbëngul se zgjedhjet duhet të mbahen sipas parashikimit.

Nëse deri në mesnatë nuk mbërrin asnjë listë, Komisioni Zgjedhor lajmëron kuvendin, por se çfarë do të ndodhë më pas nuk parashikohet në kodin zgjedhor. Kriza në Maqedoni është thelluar pas vendimit të presidentit Ivanon për faljen e politikanëve nën hetim për korrupsion dhe krime të tjera.

Ky zhvillim ka sjellë zemërimin e qytetarëve që vijojnë protestat në të gjithë vendin. Ndërkombëtaret prej ditësh janë në kontakt të vazhdueshëm me partitë politike në përpjekje për tejkalimin e krizës, por deri tani nuk ka shenja kompromisi. BE e ka bërë të qartë se u takon liderëve politikë të Maqedonisë të gjejnë një zgjidhje.