Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zgjedhjet në Kosovë, mesazhet dhe sfidat

Zgjedhjet në Kosovë, mesazhet dhe sfidat
Nga Nertil JOLE

Është shumë e vlerësueshme sesi një shtet i ri 12 vjeçar si Kosova, i cili mbas një sage sakrificash të jashtëzakonshme fitoi pavarësinë, të zhvillojë zgjedhje si ato që pamë. Fushata zgjedhore dhe zgjedhjet ishin të qeta, numërimi i votave mbaroi shpejt dhe drejtuesit e forcave politike që humbën zgjedhjet e pranuan rezultatin me dinjitet. Diçka që fatkeqësisht në Shqipëri ende nuk ka ndodhur nga një pjesë e klasës sonë politike, e cila madje u përpoq të merrte si hua pak “shpresë” nga fryma e fitores së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. A thua se kanë ndonjë lidhje ndryshimet politike në Kosovë me fitoret e munguara të opozitës në Shqipëri...? Në fakt, mesazhi nga shembulli pozitiv i Kosovës duhet të ishte tjetër, se për të fituar pushtetin, rruga e duhur nuk është djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve, por ballafaqimi i vazhdueshëm parlamentar dhe pjesëmarrja në zgjedhje.

Gjithësesi, dua të ndalem më shumë te arsyet e këtij rezultati si dhe te ndonjë projeksioni mbi kurbën e zhvillimeve në të ardhmen. Opinionin tim do e bazoj jo vetëm në pritshmëritë e dëshiruara të qytetarëve të Kosovës dhe premtimet e dhëna nga forcat politike fituese, por edhe te faktorët gjeopolitikë që me siguri do ndikojnë zhvillimet politike të mëtejshme. Këtu i referohem kryesisht ndikimit të faktorit ndërkombëtar mbi ecurinë e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, për realizimin e marrëveshjes së shumëpritur historike mes dy vendeve.

Fillimisht duhet nënvizuar e vërteta e gjithëpranuar se kontributi i partive politike dhe sidomos drejtuesve të tyre nga krahu i UÇK-së, si PDK, LDK, AAR apo Nisma është i pamohueshëm në raport me sakrificat deri sublime, për të çmontuar varësinë e Kosovës nga Serbia. Padyshim që nuk mund të harrojmë se përveç devocionit të tyre të madh patriotik, çlirimi i vendit erdhi falë edhe mbështetjes vendimtare të fuqive të mëdha, me në krye SHBA dhe Britaninë e Madhe. Kjo meritë e atyre që sot janë gjallë dhe atyre që nuk jetojnë më është e padiskutueshme dhe meriton të jetë e gdhendur përjetësisht në memorien kolektive të gjithë shqiptarëve.

Por pavarësisht, ky dimension historik i kontributit të liderëve politikë gjatë periudhës së luftës për çlirim, nuk duhet ngatërruar me përgjegjësinë e tyre gjatë periudhës së pasluftës në administrimin e problemeve të Kosovës. Kosova si një shtet me histori shumë të shkurtër, qeveritë e saj i pati të angazhuara jo gjithmonë kah qeverisjes më të mirë dhe përpjekjeve vizionare për progres e zhvillim të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror. Në vlerësimin tim, kjo ka ndodhur sepse politikanët e pasluftës fatkeqësisht nuk justifikuan shpresën që ushqyen gjatë luftës për pavarësi, edhe me angazhimin për një qeverisje të mirë për vendin e pasluftës. Ashtu siç shprehet edhe në një shkrim të fundit akedemiku i shquar Rexhep Qosja, “ata nuk duhet të urrenin heronjtë e mendjes dhe as të shpërfillnin interesat e përgjithshme të Kosovës”, në emër të ambicieve personale për pushtet dhe përfitimeve ekonomike të jashtëligjshme.

Kjo e fragmentarizoi spektrin politik në Kosovë, duke dëmtuar si rrjedhojë unitetin e misionit të gjithë forcave politike, të cilat duhet të kishin si emërues të përbashkët gjatë veprimtarisë së tyre perspektivën për ardhmërinë e Kosovës. Kam parasysh këtu, qëndrimet e paunifikuara të Presidentit, Kryeministrit dhe opozitës për çështje të rëndësishme për vendin. Në vazhdën e këtij arsyetimi, nuk harroj të jem kritik as për rrugën dhe qëndrimet radikale që Vetëvendosja ka ndjekur gjatë viteve në opozitë, duke ndikuar jo pak në polarizimin e klimës politike në Kosovë. Diskutimi rreth taksës të vendosur për produktet e importuara nga Serbia e nxorri në pah këtë mospërputhje qëndrimesh. Kjo veçse dëmtoi negociatat Serbi-Kosovë dhe vështirësoi marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar.

Nuk mund të le pa sjellë në vëmendje as faktin që të gjitha forcat politike të cilat garuan, i qëndruan tangent problemit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, i cili do të jetë në tavolinën e qeverisë menjëherë sapo ajo të fillojë punën. Këtu veçoj qëndrueshmërinë e deklarimeve të Hashim Thaçit, i cili me opsionet e tij ka ngjallur jo pak diskutime në ambientin politik kosovar e më gjerë. Edhe pse përgjithësisht, opsioniet e mbrojtura prej tij kanë krijuar idenë e mbështetjes nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Kjo temë e rëndësishme që do të sigurojë bashkëjetesën me Serbinë në kuadër të një rajoni të integruar në Bashkimin Europian, si dhe sfida për qeverisjen e vendit, luftën kundër korrupsionit dhe pritshmërisë për drejtësi të barabartë për të gjithë, përbëjnë në fakt edhe dy aspektet kryesore me të cilat do të përballet koalicioni qeverisës kosovar. Jam besimplotë se cilido koalicion që do të formohet, do të shërbejë pozitivisht në përmirësimin e shumë aspekteve të qeverisjes. Mendoj se ky ishte mesazhi kryesor që qytetarët dhanë nëpërmjet këtyre zgjedhjeve. Ata presin që qeveria e Kosovës të punojë me përkushtim për të nxitur progresin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror.

Këto zgjedhje ishin një hap tjetër drejt demokracisë funksionale në Kosovë, por edhe një mësim i mirë për politikën në Shqipëri./dritare.net