Zbulim i rrallë pranë Koloseut! Dalin në dritë kazermat e zjarrfikësve romakë!
Dritare.net

Arkeologët kanë zbuluar pranë Koloseut një ndërtesë të shekullit të dytë, të zbukuruar me mozaikë dhe afreske, e cila mund të ketë shërbyer si kazermë për zjarrfikësit e Romës së lashtë.
Pesë nga tetë dhomat e ndërtesës janë gërmuar plotësisht në parkun Villa Celimontana, në kodrën Caelian, një nga shtatë kodrat historike të Romës. Parku ishte dikur pjesë e një rezidence fisnike të shekullit XVI.
Gjatë gërmimeve, arkeologët zbuluan një mozaik ku paraqiten një delfin, një peshk, një karavidhe dhe një gaforre rreth një vazoje të madhe me dy doreza. U gjetën gjithashtu mbetjet e një tavani të pikturuar, të zbukuruar me rrathë të mëdhenj të kuq dhe blu.
Sipas Zyrës Arkeologjike të Romës, dizajni i mozaikut është shumë i ngjashëm me një tjetër të zbuluar më parë në kazermat e zjarrfikësve në Ostia, porti i lashtë i Romës, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit italian.
Kjo ngjashmëri ka ngritur dyshimet se ndërtesa mund të ketë qenë pjesë e kazermave të Kohortës së Pestë të Vigjilëve, trupës së zjarrfikësve të Romës së lashtë.
“Nëse kjo hipotezë konfirmohet, zbulimi do të ndihmonte në rivlerësimin e shtrirjes së njërit prej komplekseve më të rëndësishme ushtarake të Romës perandorake”, thuhet në deklaratën e autoriteteve arkeologjike.
Gjatë Perandorisë Romake, Vigjilët kishin për detyrë të shuanin zjarret dhe të ruanin rendin publik gjatë natës. Kazermat e tyre pranë Villa Celimontana furnizoheshin me ujë nga një ujësjellës aty pranë.
Megjithatë, arkeologët nuk e përjashtojnë mundësinë që ndërtesa të ketë qenë një rezidencë e pasur patriciane, e njohur si “domus”. Dekorimet e sofistikuara të zbuluara në të mund ta mbështesin edhe këtë hipotezë.
Autoritetet theksojnë se vetëm studimi i plotë i materialeve dhe strukturave të zbuluara do të përcaktojë funksionin e vërtetë të ndërtesës./ Reuters