Na ndiqni edhe në

Shqip

Shqiptarët në zgjedhjet amerikane/ Agron Alibali: Ka ardhur koha të kemi peshë në Uashington!


Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, studiuesi dhe juristi i njohur shqiptaro-amerikan, Agron Alibali, ka trajtuar një sërë temash kritike që prekin si politikën e brendshme të Shqipërisë, ashtu edhe dinamikat ndërkombëtare të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vëmendja e juristit u ndal te politika amerikane dhe përfaqësimi i shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Zoti Alibali bëri një krahasim me komunitetet e tjera ballkanike, si ai grek, që kanë një fuqi lobuese të konsoliduar prej kohësh në Kongresin Amerikan. Ai përmendi figura të reja premtuese të diasporës shqiptare, si Diamant Hysenaj dhe Edlira Sako, të cilët kanë garuar në primaret amerikane.

Pavarësisht sfidave të mëdha kur garojnë në distrikte me mbizotërim të theksuar të partisë kundërshtare, vetë fakti i kandidimit konsiderohet nga studiuesi si një hap jashtëzakonisht pozitiv drejt krijimit të një peshe politike shqiptare në Uashington.

Diplomacia dhe marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara morën një vëmendje të veçantë. Ardhja e pritur e ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt, i cili vjen me një prapavijë të theksuar ushtarake (si i diplomuar në Akademinë Detare), është parë si një kthesë në traditën diplomatike amerikane në Tiranë./dritare.net