Von der Leyen: Shqipëria po përparon drejt BE-së, zgjerimi është mundësi historike
Dritare.net

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë fjalës së saj në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel.
Në forumin me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, von der Leyen theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian.
“Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet po bëjnë hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi”, deklaroi Ursula von der Leyen.
Duke kujtuar zgjerimin historik të vitit 2004, presidentja e Komisionit Evropian tha se anëtarësimi i vendeve të reja solli transformim ekonomik dhe përmirësim të jetës së miliona qytetarëve.
Si shembull, ajo përmendi Poloninë dhe Bjellorusinë, duke theksuar se sot Prodhimi i Brendshëm Bruto i Polonisë është tri herë më i madh se ai i Bjellorusisë.
“Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet. Shtimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë”, u shpreh von der Leyen.
Ajo nënvizoi gjithashtu se për zgjerimin e ardhshëm duhet të përgatitet edhe vetë Bashkimi Evropian, veçanërisht në aspektin e vendimmarrjes dhe funksionimit të institucioneve.
Ndërkohë, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se zgjerimi është rikthyer në qendër të debatit politik dhe se rezultatet e arritura gjatë këtij viti janë më të mëdha se në 25 vitet e fundit.
“Sot zgjerimi është sërish në një debat të gjerë se si. Kemi dhënë rezultate për zgjerimin këtë vit më shumë sesa në 25 vitet e fundit”, tha Kos.
Ajo paralajmëroi edhe për përpjekjet e aktorëve kundërshtarë për të penguar vendet kandidate në rrugën drejt anëtarësimit.
“Kemi kundërshtarë që duan të dëmtojnë kandidatët për anëtarësim. Nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, deklaroi komisionerja.
Në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Diskutimet përqendrohen në progresin e vendeve kandidate, Paketën e Zgjerimit të këtij viti dhe perspektivën e një Bashkimi Evropian më të zgjeruar dhe më të fortë.