Vitet e gjimnazit mund të ndryshojnë jetën. Zbulimi që po habit psikologët!
Dritare.net

BBC
Edhe shumë vite pasi kemi lënë shkollën, kujtimet nga adoleshenca dhe veçanërisht nga marrëdhëniet shoqërore të asaj periudhe mund të vazhdojnë të ndikojnë mënyrën se si e shohim veten dhe të tjerët. Nga “nxënësi i preferuar” te “i padëshiruari”, etiketat e gjimnazit mund të lënë gjurmë shumë më të thella nga sa mendojmë.
Kush ishte nxënësi më popullor i klasës? Kush kishte më shumë ndikim? Kush ishte ai që të gjithë e dëgjonin dhe kush mbetej jashtë grupeve?
Për shumë njerëz, këto pyetje duken si kujtime të largëta të adoleshencës. Por kërkimet psikologjike tregojnë se hierarkitë shoqërore të shkollës së mesme mund të vazhdojnë të ndikojnë jetën tonë edhe dekada pasi kemi dalë nga bankat e shkollës.
Profesori i psikologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut, Mitch Prinstein, pasi ka folur me qindra njerëz për përvojat e tyre në shkollë, ka konstatuar se kujtimet për nxënësit që dikur dominonin korridoret mbeten jashtëzakonisht të forta. Shumë njerëz, edhe pas dekadash, mund të kujtojnë menjëherë emrin e nxënësit më të famshëm të vitit të tyre, ndonjëherë më lehtë sesa emrat e mësuesve apo shokëve të tjerë.
Nga “i pranuari” te “i refuzuari”
Në fillim të viteve ’80, psikologu amerikan John Coie ndryshoi mënyrën se si studiuesit e shihnin popullaritetin te fëmijët.
Ai u kërkoi nxënësve t'u përgjigjeshin dy pyetjeve të thjeshta për shokët e tyre: Kë pëlqen më shumë? Dhe kë pëlqen më pak?
Nga përgjigjet u krijuan pesë kategori sociale: të pranuarit, të refuzuarit, kontroversët, të neglizhuarit dhe ata që konsideroheshin “mesatarë”. Studimet e mëvonshme kanë konfirmuar se këto kategori janë të dobishme për të kuptuar marrëdhëniet mes bashkëmoshatarëve.
Fëmijët më të pëlqyer priren të perceptohen si të sjellshëm, mbështetës dhe inkurajues. Në të kundërt, fëmijët e refuzuar mund të jenë agresivë dhe të prirur për të bullizuar të tjerët, por mund të jenë edhe të pasigurt, të tërhequr dhe vetë viktima të bullizmit. Ndërsa grupi “kontrovers” përfshin zakonisht personazhe që ndajnë opinionet e të tjerëve, si rebelët apo shakaxhinjtë e klasës.
Ajo që është edhe më e habitshme është se këto etiketime mund të zgjasin. Një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve ruan të njëjtin pozicion social edhe pasi kalon në një grup të ri bashkëmoshatarësh. Një studim ka gjetur se rreth gjysma e fëmijëve ruanin të njëjtën kategori edhe pesë vite më vonë, në shkollën e mesme.
Në gjimnaz ndryshojnë rregullat
Në shkollën fillore, fëmijët më të pëlqyer janë shpesh ata që sillen mirë, marrin rezultate të mira dhe përmbushin pritshmëritë e të rriturve.
Por në adoleshencë gjithçka ndryshon.
Në gjimnaz, normat e vendosura nga të rriturit humbasin një pjesë të rëndësisë dhe statusi mund të fitohet nga ata që janë më rebelë, më të zhurmshëm apo më të gatshëm të sfidojnë rregullat.
Atraktiviteti fizik, mënyra e veshjes, sporti dhe aftësia për të tërhequr vëmendjen bëhen faktorë të rëndësishëm. Edhe sjelljet e konsideruara si “të pjekura para kohe”, përfshirë konsumimin e alkoolit, drogës apo marrëdhëniet romantike në moshë të hershme, mund të rrisin përkohësisht statusin e një adoleshenti.
Megjithatë, me kalimin e viteve të adoleshencës, kjo tendencë ndryshon sërish. Ndërsa të rinjtë piqen, kërkimi i hapur i statusit humbet rëndësinë dhe pëlqyeshmëria dhe aftësia për të krijuar marrëdhënie të mira bëhen përsëri më të rëndësishme.
Kultura e grupeve dhe frika për të qenë ndryshe
Shkolla e mesme nuk është thjesht një hierarki e vetme. Ajo funksionon si një sistem grupesh: të famshmit, rebelët, “nerdët”, të refuzuarit dhe shumë të tjerë.
Në vitet e para të gjimnazit, kufijtë mes këtyre grupeve mund të jenë shumë të fortë. Të rinjtë mund të bëhen jashtëzakonisht intolerantë ndaj atyre që perceptohen si “ndryshe”, ndërsa përfshirja në një grup u jep atyre një ndjenjë identiteti dhe sigurie.
Por jo të gjithë arrijnë të gjejnë vendin e tyre.
Për disa adoleshentë, përpjekja për t'u përshtatur mund të jetë rraskapitëse. Një prej rasteve të përshkruara në material është Connie, e cila, pasi u përball me bullizëm dhe refuzim, provoi të afrohej me grupe të ndryshme – nga nxënëset “e zgjuara” te vajzat “cool” dhe grupet e muzikës. Në fund, ajo ndjeu se nuk kishte një vend ku të përshtatej dhe përfundoi duke u injoruar nga të tjerët.
Çfarë ndodh me “fëmijët cool” kur rriten?
Pyetja që shumë ish-nxënës mund t'i kenë bërë vetes është: Çfarë ndodhi me ata që ishin më të famshmit në shkollë?
Një studim i vitit 2015 ndoqi 184 adoleshentë nga mosha 13 deri në 23 vjeç. Rezultatet treguan se të rinjtë që në moshë të hershme kërkonin status dhe përfshiheshin në sjellje të rrezikshme kishin më shumë gjasa të përballeshin më vonë me vështirësi në marrëdhëniet e afërta dhe me sjellje kriminale.
Përdorimi i hershëm i alkoolit dhe drogës lidhej gjithashtu me një rrezik më të madh për probleme me abuzimin dhe varësinë, ndërsa përqendrimi i madh te statusi shoqëror lidhej me marrëdhënie më sipërfaqësore dhe vështirësi në ruajtjen e miqësive apo marrëdhënieve romantike.
Nga ana tjetër, edhe refuzimi social mund të lërë pasoja. Hulumtimet e Prinstein tregojnë se nxënësit e refuzuar mund të bëhen më të prirur ndaj depresionit me kalimin e kohës, duke krijuar një cikël ku refuzimi sjell tërheqje dhe tërheqja përforcon ndjenjën e refuzimit.
Por e kaluara nuk është një dënim i përjetshëm
Megjithatë, historia e shkollës së mesme nuk duhet të përcaktojë gjithë jetën.
Sipas Prinstein, përvojat e hershme sociale mund të ndikojnë mënyrën se si interpretojmë situatat e reja. Një person që është ndier i refuzuar mund të hyjë në një marrëdhënie të re duke kërkuar shenja që konfirmojnë frikën e tij se do të refuzohet sërish. Kjo mund të ndikojë edhe në mënyrën se si sillet dhe, në fund, të krijojë pikërisht përvojën që kishte frikë.
Por këto modele mund të ndryshohen.
Edhe ata që kanë qenë të refuzuar mund të zhvillojnë aftësi të forta emocionale, si aftësia për të kuptuar më mirë ndjenjat e të tjerëve dhe për të dalluar kur dikush po trajtohet keq. Ndërkohë, edhe një ose dy miqësi të forta gjatë adoleshencës mund të kenë një efekt mbrojtës dhe të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve më të shëndetshme në të ardhmen.
Në fund, etiketat që mbajmë në gjimnaz nuk janë një “dënim i përjetshëm”. Siç thekson Prinstein, njerëzit mund ta ndryshojnë rrjedhën e historisë së tyre. Problemi është se për këto modele flitet pak dhe, pa i kuptuar, ekziston rreziku që t'i përsërisim ato edhe në jetën e rritur./L.F-dritare.net